Lulzim Basha ka një mesazh për Edi Ramën dhe LSI-në

Shqipëria

Lulzim Basha ka një mesazh për Edi Ramën dhe LSI-në

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 07:52
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha

(E plotësuar) -Valle popullore dhe këngë për Luzim Bashën, është kjo atmosfera në çadrën e ngritur nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë.
 
Të rinjtë e FRPD-së kanë nisur që prej mesditës së kësaj të shtune një protestë maratonë për zgjedhje të lira.
 
Gjatë mbrëmjes, tenda e FRPD u vizitua nga kryetari demokrat dhe deputetë të grupit parlamentar.
 
Edhe pse kushtet e motit s'kanë qenë favorizuese, atmosfera brenda çadrës duket optimiste. Protestuesit i kanë kushtuar dhe një këngë kryetarit të PD, Basha, ndërsa nuk mungojnë as ritmet e muzikës popullore.

Image

Protesta e nisur paraditen e së shtunës nga Partia Demokratike po vijon edhe në këto orë të pasdites dhe pritet të shkojë më tej edhe në ditët në vazhdim.

Në tendën e ngritur në bulevard janë rreth 1 mijë vetë. Kryesisht atje dominon muzika, por ka edhe fjalime nga qytetarë të ndryshëm. 

Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka deklaruar se, reagimi i opozitës do të vijojë deri në një periudhë të pacaktuar, derisa kryeministri Rama t’i japë përgjigje problemeve, që sipas saj, i ka krijuar vetë me qeverisjen e tij. 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vazhdon të qëndrojë në çadrën e ngritur përpara godinës së Kryeministrisë.

Basha i dha përgjigje Kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit gjatë paradites.

"Kryeministri i vendit sot është rrëzuar moralisht, është delegjitimuar”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetari se çfarë komenti ka për qëndrimin e LSI-së, e cila sot s’ka bërë asnjë reagim, Basha tha se nuk ka asnjë koment në veçanti, pasi është pjesë e qeverisë.

“Dikush do të tërhiqet, o populli o qeveria. Mendoj se tani është momenti të tërhiqet qeveria”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.

Image
Lulzim Basha

Basha flet nga çadra e protestuesve: Po vjen ndryshimi i madh, qëndresë deri në fitore!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar nga çadra e protestuesve se protesta e sotme është më e madhja gjatë këtyre viteve dhe është shenjë se po vjen ndryshimi i shumëpritur.

Gjatë një prononcim për Ora News, Basha u shpreh se protesta do të vazhdojë deri sa të arrihet fitorja elementare, që është ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Mendoj se vullneti i qytetarëve është më i fortë se korrupsioni. Do të rrimë deri sa të arrijmë një fitore elementare. Kjo është mënyra e vetme. Cdo mundësi institucionale është ezauruar. Ky shtet ka humbur cdo legjitimitet. Ky është manifestimi më i madh popullor dhe është jo vetëm një shenjë besimi, por edhe shenjë e një ndryshimi të madh që po vjen, përtej kufijve të PD.

Kjo është një forcë që nuk mund të ndalet. Kam marrë mesazhe nga miqtë tanë ndërkombëtare që përshendesin këtë protestë të qytetarëve. Kjo kauzë nuk është e Lulzim Bashës, nuk është e PD, është e shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha.

Vazhdon protesta para Kryeministrisë, Basha në çadër me protestuesit

Të paktën këtë lajm nuk e kanë mohuar eksponentë të lartë në PD, teksa janë pyetur sot gjatë protestës që nisi në mesditë dhe që nuk dihet se si dhe kur do të përfundojë. Teksa pasditen protestuesit që ndodhen nën çadrën e ngritur në mes të bulevardit e kaluan duke ngrënë pica apo dhe duke pirë e duke kënduar, kjo situatë mund të përfundojë edhe në grevë. 

Kreu i FRPD, Belind Këlliçi tha se do të shkohet edhe drejt grevës nëse qytetarët vendosin për këtë.

 “Nuk e dimë sesa do të rrimë. Qytetarët nuk ka policisë që i largon dhe kjo mund të jetë pikënisja e një greve urie”, thonë burimet pranë PD. Të njëjtin qëndrim mban edhe deputeti i deputeti i PD-së, Luçiano Boçi teksa nuk përjashton grevën. 

"Tek çadra do të ketë grevë urie, ne nuk largohemi. Protestuesit nuk do largohen nga Bulevardi deri në rrëzimin e Edi Ramës", tha Boçi. 

 

Skadon afati për protestën e opozitës, Berisha lë çadrën, Basha mbetet me aleatët

Pjesa më e madhe e protestuesve të thirrur sot nga opozita në protestë kundër qeverisë “Rama” është larguar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë një pjesë që ka mbetur po ndihmon për ngritjen e çadrës për të vijuar protestën brenda tyre.

Ish-kryeministri Sali Berisha është larguar nga vendi ku po qëndronte, ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha ndodhet ende në bulevard bashkë me aleatët e tij.

Ndërkohë pritet zgjatja e çadrës për të zënë më shumë protestues. Brenda saj janë vendosur edhe stola për protestuesit, kjo pasi ditën e nesërme pritet që t’i bashkohen edhe protestues të tjerë.

Protesta e opozitës kalon afatin kohor, ja çfarë rrezikojnë organizatorët e saj

Ditën e sotme në Tiranë po organizohet protesta nga opozita, protestë e cila ka nisur në orën 12:00 dhe vazhdon akoma pavarësisht se ka kaluar orari i vendosur nga policia.

Partia Demokratike ditën e djeshme theksoi që protesta do të nisë në 12:00 dhe do mbarojë kur të duan vetë protestuesit por kjo bie ndesh me njoftimin e policisë e cila i ka vënë një kufi orarit të protestës, orën 16:00.

Por organizatorët e saj, deputeti Arben Ristani dhe Eno Bozdo, rrezikojnë pasi protesta po vijon edhe pas orës 16:00, kohë kur duhet të kishte përfunduar, pasi deri atëherë ishte marrë leje në Polici.

Ata i kap Neni 262 i Kodit të Procedurës Penale. Theksojmë këtu se vepra është kundravajtje penale dhe jo vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Por çfarë thotë Neni 262?

Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbu llime e manifestime të paligjshme

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 59)

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Procedura është e tillë që në përfundim të afatit të protestës, nëse protesta vazhdon përtej orarit dhe vendit për të cilin është dhënë leje, policia referon në prokurori materialin kallëzues për personat që e kanë kërkuar lejen në emër të subjektit politik në këtë rast.

Procedura e zakonshme është që personat nuk thirren ne polici, ata mund të thirren në prokurori në fazat e mëvonshme të procesit.

Kërkohet qeveri teknike. Basha e aleatët këmbëkryq para kryeministrisë

Të ulur këmbëkryq mes protestuesve, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish – Kryeministri Sali Berisha, kanë theksuar se nuk do të largohen deri në largimin e qeverisë. Në një prononcim për mediat, Berisha tha se Edi Rama duhet të largohet sa më parë. Ai shprehu vendosmëri për të qëndruar në shesh deri në përmbysjen e banditokracisë.

Ish – Kryeministri e konsideroi protestën e ditës së sotme si fillimin e një revolucioni demokratik. 

“Me shpirt do qëndroja 24 orë këtu, gjer në momentin e fitores. Do shkoj dhe do vij, por ama revolucioni demokratik filloi dhe nuk ka forcë në botë që t’i rezistojë. Edhe njëherë, e ftoj Edi Ramën të largohet një minutë e më parë, të dorëzojë pushtetin dhe të niset drejt koshit të plehrave të historisë. Ky është revolucion i vërtetë, sepse ky synon përmbysjen e banditokracisë dhe zëvendësimin e saj me vlerat e demokracisë. Ndaj ky është revolucion, revolucionet janë ato që i mëshojnë rendit, ky është një rend banditokrat. Kjo është protesta më e madhe që Tirana ka parë në tërë ekzistencën e saj, absolutisht. Domethënë nuk ka patur kurrë ndonjëherë një masivitet, një energji, një entuziasëm, vendosmëri dhe përgjegjësi qytetare si kjo. Mesazhet janë paqësore, por duhet t’i lexojë Edi Rama mirë. Të mos kthehet, le të rrijë në malet e Sharrit më mirë, atje ku është”, u shpreh ish – Kryeministri.

Më herët, në një postim në rrjetet sociale Berisha shkruajti se në shesh ishin mbi 500 mijë protestues, në atë që ai e konsideroi si “funeralin e Rivdekjes”.

Image

Kërkohet qeveri teknike

Nen moton #Ngrihemibashke” prej ores 12:00 mijera protestues jane mbledhur para kryeministrise. 

Pas fjalimeve të protagonistëve dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha i cili i bëri thirrje për të qëndruar në shesh deri në formimin e një qeverie teknike, nisi ngritja e një çadre para kryeministrisë.

Ndërkohë kryetari i PD-se, Basha, ish kryeministri Berisha, deputetë të PD-së por dhe aleatët e Partisë Demokratike janë ulur këmbëkryq para kryeministrisë.  

Në fjalimin e tij para mbështetësve Kryetari i PD-së ftoi protestuesit të qëndrojnë në shesh ndërsa nënvizoi se zgjedhjet e lira nuk mund të bëhen me këtë qeveri e cila “duhet shporrur” dhe kërkoi qeveri teknike. Protestuesit i vendosen flaken tre  dordoleceve me figuren e kryeministrit Edi Rama, ministri i Brendshme Saimir Tahiri dhe ministrin Ilir Beqaj, dy ministrat më të përfolur për korrupsion.

Protesta nisi në orën 12:00. PD kerkon  proteste pa kufizim kohor nderkohe policia ka dhene leje vetem per 4 ore.

Image

Basha, ultimatum Ramës: Zgjedhje të lira, ose zgjedhje nuk do të ketë! 

Sheshin e vendimit të madh për vendin dhe gjithë shqiptarët e ka quajtur kreu i Pd-së, Lulzim Basha protestën e sotme të PD, bashkimin më të madh popullor që ka njohur vendi.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, ne tribunën para zyrës së Ramës ai i ka adresuar një paralajmërim të fortë Kryeministrit, “zgjedhje të lira, ose zgjedhje nuk do të kete”.

Ky eshte bashkimi më i madh popullor që ka njohur ndonjëherë ky vend është derdhur në sheshin e lirisë, të protesës të vendimit të madh për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët

Duam zgjehdje të lira e të ndershme, dinjitet, drejtësi, punë, ta vëmë interesin e njerëzve të thejstë të parin, të pardhme dinjitoze, duam shpresën, që po lind nga ky bashkim më i madhi në historinë e shqiptarëve.

Jemi të bashkuar se nuk e pranojmë dot më këtë gjendje, se kemi besim se mund të ndërtojmë një jetë dinjitoze, jemi të bashkuar nga alarmi kombëtar dhe ndërkomëbtar se kur shetti i korruptuar dhe kriminelt duan të vjedhun zgejhdjet e ardhshme, jemi bashkuar për të marrë një vendim të madh.

Për të ndalur maskaradën e grabitjes së zgjehdjeve, ose zgjedhje të lira, ose zgjedhje nuk do të ketë. Rrugë të mesme nuk ka, rrugë tjetër nuk ka, zgjehdjet për fasadë, të njollosura nuk do ti pranojmë.

Zgjedhjet e standardeve të krimeve nuk do ti pranojmë, zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do ti pranojmë, që shtrembërojnë vullnetin tuja nuk do të ketë më në Shqipëri.

Nisi nga selia e Partisë Demokratike protesta e njoftuar e opozitës

Forumi Rinor i PD-së do të jetë i angazhuar tërësisht që gjithçka të jetë rrjedhë qetë. Një kordon me vajza e djem të rinj do të qëndrojë përgjatë gjithë bulevardit, para institucioneve, për të evituar incidentet. 

Fjalimet do të mbahen përpara kryeministrisë.

Përveç fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, do të ketë të paktën edhe dhjetë fjalime nga qytetarë të fushave e profesioneve të ndryshme, ndërsa në shesh do të merret edhe vendimi i madh i paralajmëruar nga Basha.

Protesta e Partisë Demokratike është njoftuar të fillojë në mesditë,  por nuk është parashikuar një fund. Atë, Lulzim Basha ia ka lënë në dorë qytetarëve.

Fillimin e protestave kryetari Basha e ka lënë të nënkuptuar në fund të janarit të këtij viti pas takimit që zhvilloi me ambasadorët Lu dhe Bochard. Kreu i opozitës tha se koha për zgjidhje institucionale për zgjedhjet e ardhshme po mbaron dhe po vjen koha për një aksion mbarë qytetar.

Shefi I opozitës  në 2 shkurt  deklaroi haptazi se do t’i kthehet protestave. Këtë vendim e mori kryesia e Partisë Demokratike një ditë para kësaj deklarate.  Në ditët në vijim ai u kërkoi deputetëve demokratë që të braktisin komisionet parlamentare deri në 18 shkurt për tu përqëndruar në zonat e tyre elektorale.

Nga bojkoti u përjashtuan vetëm deputetët pjesë e komisioneve hetimore, të cilët ishin prezente në mbledhje.

Vetë Basha në kuadër të protestës nisi një tur takimesh me qyetarë dhe strukturat në Tiranë dhe rrethe.
Qëllimi i protestës është zhvillimi i zgjedhjeve të lira e tëndershme.

Sipas Partisë Demokratike, identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik janë kushtet minimale për zgjedhje të lira.
 

“Blindohet” Kryeministria, snajperat marrin nën kontroll godinat qeveritare

Rreth 2 mijë efektivë të policisë do të ruajnë godinat kryesore sot në protestën e Partisë Demokratike.

Që në orët e para të mëngjesit makinat e uniformave blu kanë zënë vend mbrapa kryeministrisë, në godinën ku më parë ka qenë Ministria e Integrimit.

Rreth orës 11 efektivët u vendosen përpara kryeministrisë. Ndërkohë që të angazhuar janë edhe forcat RENEA. Efektivë të saj janë fotografuar sot në tarracën e Kryeministrisë.

Image

Protestuesit e PD-së nisen drejt Tiranës

Protestuesit e parë tanimë janë nisur nga qytete të ndryshme drejt Tiranës, ku në ora 12:00 do të mbahet protesta e Partisë Demokratike kundër qeverisë.

Mësohet se rreth tremijë qytetarë nga Fieri janë nisur sot në orën 8:00 drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e PD-së që nis në orën 12:00.  Grumbujt e protestuesve janë parë në pika të ndryshme të qytetit. Në automjetet e protestuesve nga Fieri, do të vendoset kamera në çdo automjet në mënyrë që të filmohet çdo debat me policinë gjatë rrugës.

Nga Lezha do të nisen 12 autobusa dhe shumë qytetarë me mjete private. Sipas PD nga ky qytet janë afro 2 mijë persona që do t’i bashkohen protestës. Gjithashtu të tjerë autobusë po nisen nga Shkodra,  3 autobusë nga Gjirokastra, 350 persona janë nisur nga Saranda, rreth 3-4 mijë persona nga Shkodra, rreth 6 mijë persona nga qarku i Dibrës, 500 persona nga Kukësi, 6 autobuzë dhe 50 makina nga Berati.

Sot proteston PD-ja

Partia Demokratike në Shqipëri sot mban protestë kundër Qeverisë Rama. Protesta është paraparë të fillojë në ora 12:00, por nuk dihet se kur do të përfundojë, pasi siç është paralajmëruar janë qytetarët ata që do të vendosin për përfundimin e saj.

Në një thirrje të fundit për pjesëmarrje, Lulzim Basha foli për një vendim të madh.

“Jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund së keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë së bashku, të gjithë qytetarët”, tha Basha.

Demokratët e lidhin këtë vendim me një përpjekje për të detyruar kryeministrin Rama të japë dorëheqjen. Opozita e akuzon kryeministrin për mungesën e vullnetit për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por nga skenari i 18 shkurtit tani për tani njihet vetëm koha e nisjes së protestës.

Image

 

“Fillimi i protestës është përcaktuar nga Partia Demokratike, nga opozita në orën 12:00. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe mbarimin e protestës, pa dyshim me fitore. Me fitore qytetare, të kauzës qytetare”, tha Basha.

Megjithatë, një vendim është marrë, protesta do të jetë paqësore, pavarësisht nëse vendimi i madh do të jetë për një qëndrim të gjatë përpara kryeministrisë, apo për zgjerim të protestës në të gjithë vendin.

Ndryshe, Policia në Tiranë, ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin e protestës nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Rrugës “Ismail Qemali” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Si rrjedhojë e këtij marshim – proteste, do të ketë bllokime të pjesshme të trafikut në segmentet rrugorë: Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Zhan D’Ark”, Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Bajram Curri”. Ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë: Nga kryqëzimi i Rrugës “Myslym Shyri” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Rrugën “Ismail Qemali”, nga ora 12:00 deri në orën 16:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat