72-vjetori i kryengritjes së Kelmendit, Basha: Frymëzim për lëvizjen e 18 shkurtit

Shqipëria

72-vjetori i kryengritjes së Kelmendit, Basha: Frymëzim për lëvizjen e 18 shkurtit

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 11:38
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë dhe është takuar me banorë të zonës së Tamarës.

Në përkujtim të 72-vjetorit të kryengritjes së Kelmendit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë dhe është takuar me banorë të zonës së Tamarës.

Kreu i opozitës vendosi një kurorë me lule pranë monumentit përkujtimor të Prek Calit dhe luftëtarëve të tjerë të kësaj Malësie, qëndresa e të cilëve u kthye në monumentin e parë të antikomunizmit në Shqipëri.

Nga aty, Basha u shpreh se qëndresa e kelmendasve ndaj dhunës dhe terrorit komunist është një burim frymëzimi që sot, qytetarët, të rinjtë t‘i bëjnë ballë sundimit të një grushti qeveritarësh e oligarkësh, të zhytur në krim e korrupsion që duan t’u mohojnë shqiptarëve të drejtën themelore, të drejtën e votës.

“Përfaqësues të denjë të virtyteve dhe të genit iliro-shqiptar, pasardhës të heronjve të shqiptarizmit, të cilëve iu këndoi Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë”, pasardhës të Prek Calit dhe të burrave të tjerë kelmendas, të cilët 72 vite më parë shkruan në këto male me qëndresën dhe heroizmin e tyre një epope të denjë për lavdinë e shekujve”, kështu iu drejtua Basha të pranishmëve në aktivitetin që u zhvillua në Tamarë.

“Ata u bashkuan për t’i thënë jo komunizmit të dhunshëm që ishte lëshuar në këto anë me barbari, me forca të armatosura, për të shtruar dhe nënshtruar këtë krahinë, këtë popull krenar, këtë themel të vlerave të shqiptarisë, që ka derdhur gjak për të ruajtur nderin, flamurin kombëtar, vatrën, traditën dhe dinjitetin”, shtoi Basha.

Kreu i PD-së shprehu mirënjohjen dhe nderin e të qenit mik i Kelmendit në një ditë kaq të shënuar. “Lufta me të keqen është një detyrim para Zotit dhe Atdheut pavarësisht prej çmimit”, tha ai.

Për Bashën ky detyrim fillon me të drejtën elementare të demokracisë, të drejtën për të zgjedhur i lirë. “Është vota e lirë, vota e lirë që i jep kuptim demokracisë. Vota e lirë që zgjedh dhe largon nga pushteti pushtetarët. Vota e lirë që dikton siç diktonte ndër shekuj tradita e Malësisë dhe Kelmendit, siç diktonte fjala, vepra dhe pushka e Prek Calit që shqiptari është zot në shtëpinë e vet e nuk ka zot tjetër përveç shqiptarit në shtëpinë e vet. Por sot një qeveri është futur përdhunshëm në shtëpinë e çdo shqiptari, në çdo familje në Kelmend, në Malësi e mbarë Shqipërinë. E dinë fare mirë se ora e llogarisë po u vjen”, tha ai.
Kryedemokrati Basha nga Kelmendi deklaroi se sot që populli ka vendosur të marrë fatin në duart e tij, e vetmja rrugëdalje për qeverinë është t’i vjedhë votat.

Nga përkujtimorja e Prek Calit, Basha përsëriti thirrjen për protestë, shembull i të cilës të jetë kurajoja e banorëve të Kelmendit. Kreu i opozitës i premtoi banorëve të Kelmendit se nuk do ta lërë në harresë pasurinë e tyre historike, kulturore por edhe atë turistike të pashfrytëzuar deri më sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat