Memoja - KED, Xhafaj: Llalla dhe KLD-ja shkelën Kushtetutën për kandidatët

Shqipëria

Memoja - KED, Xhafaj: Llalla dhe KLD-ja shkelën Kushtetutën për kandidatët

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 19:54
Fatmir Xhafaj

Kreu i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, nëpërmjet një memoje të siguruar nga Ora News, thekson se kandidatët e përzgjedhur nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimet në Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës.

Ai thekson në letër, se edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, është i tillë.

Memoja i është drejtuar kreut të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa në dijeni është edhe Presidenti i Republikës si dhe kryetari i Kuvendit. Bëhet fjalë për shortin e zhvilluar më 27 janar 2017 nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Referuar këtij njoftimi, por edhe asaj çfarë është dokumentuar dhe bërë publike në lidhje me këtë procedurë, më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vet rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Xhafaj.

Ai thekson se bëhet fjalë për dy standarde të ndryshime të aplikuara nga institucionet përgjegjëse në procesin e hartimit të listave të kandidatëve.

Në Memon e zt.Xhafaj thuhet se Prokurori i Përgjithshëm ka hartuar një listë me emrin e 1 prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të 2 prokurorëve në nivel apeli, të cilët, sipas tij, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ndërkohë, sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka hartuar një listë me emrat e 28 gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe të gjyqtarëve të gjykatës administrative të shkallës së parë, të cilët, sipas tij, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Konstatohet se listat e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së rezultojnë të kenë shmangur nga shorti një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh”, shkruan Xhafaj në Memon prej 9 faqesh që mban datën 12 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat