Kreditë e buta, dokumentet që duhen dorëzuar

Shqipëria

Kreditë e buta, dokumentet që duhen dorëzuar

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 07:45
Ilustrim

Për vitin 2017 Bashkia e Tiranës ka përcaktuar se do të mbulojë interesat e kredisë për 1 mijë familje të pastreha. 

Në datën 20 shkurt Këshilli Bashkiak i Tiranës do të shqyrtojë projektvendimin “Për miratimin dhe zbatimin e programit social të strehimit ‘Subvencionimi i interesave të kredisë'”. Në draft janë të përcaktuara, veç dokumenteve që duhen për aplikim, edhe kriteret e reja, ku përparësi do t’u jepet çifteve të reja. Po ashtu, në draft është përcaktuar niveli i të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikantët si dhe sistemi i ri i pikëzimit.

Nëpërmjet këtij sistemi pikëzimi specialistët e Drejtorisë së Strehimit do të përzgjedhin 1.000 familjet e pastreha të cilave bashkia do t’u mbulojë interesat e kredisë. Në tabelat bashkëngjitur shkrimit gjeni të detajuar, sistemin e pikëzimit, nivelin e të ardhurave që duhet të plotësojnë familjet, por edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikantët.

Drafti dhe kriteret

Sipas relacionit të Bashkisë së Tiranës, në periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2016 janë dorëzuar 1.800 kërkesa për programet sociale të strehimit për kredi të buta të mbuluara nga pushteti qendror. Nisur nga interesi i lartë i qytetarëve, Bashkia e Tiranës hartoi një program specifik tërësisht me buxhetin e saj për këtë qëllim, me kohëzgjatje 1- vjeçare, për individët dhe familjet që nuk janë në gjendje të përballojnë ofertën e tregut të lirë për banesa ose atë të kredive hipotekore.

Përfituesit potencialë të programit do të jenë individë/familje me përbërje çiftet e reja. Programi do të ketë një kohëzgjatje 1- vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve të cilët do të mbështeten financiarisht nuk do t’i tejkalojë 1.000 familjet. Koha që kanë në dispozicion qytetarët për të aplikuar është një vit, pasi angazhimi financiar i Bashkisë së Tiranës në zbatim të këtij projekti do të ketë një kohëzgjatje 15-20 vjeçare, në varësi të kredive hipotekore të akredituara për secilin përfitues.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuar nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes me bankën, me interesin 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë. Kriteret bazë të paraseleksionimit të kërkesës së paraqitur nga familjet e interesuara do të jenë individët që janë mbi 18 vjeç, familjet që nuk kanë pronësi një banesë ose kanë por e kanë nën normat e strehimit, si dhe familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar nga bashkia (detajimi i të ardhurave është në tabelën bashkëngjitur).

Nëse i referohemi draftit, për një familje me 1-3 anëtarë, kufiri maksimal i kreditimit është 3.565.000 lekë, ndërsa të ardhurat minimale janë 39.546 lekë, të ardhurat maksimale janë 82.064 lekë. Norma e interesit, ashtu siç dhe është deklaruar më herët nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë objekt i hapur i konkurrimit ndërmjet bankave, ndaj në përllogaritje është përdorur mesatarja e normave të publikuara në sistemin bankar në momentin e planifikimit, prej 5.5% (tribor +2.5%).

Kërkesa e aplikimit së bashku me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohen në kopje origjinale personalisht pranë zyrave të pritjes me qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose nëpërmjet Postës, në një zarf të vulosur që drejtohet si më poshtë: “Në vëmendje të: ‘Drejtorisë së Strehimit – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale, Bashkia e Tiranës'”. Çdo aplikant duhet patjetër që të ketë, bashkë me dokumentet e tjera që janë të detajuara në tabelë, edhe formularin e strehimit që e plotëson pranë njësisë administrative ku ka vendbanimin.

Dokumentacioni që duhet për të aplikuar

1. Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.2. Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.3. Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.4. Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.5. Dokumenti përkatës nga punëdhënësi(vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.6. Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.7. Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.8. Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.9. Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.10. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.11. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.12. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.13. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.14. Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.15. Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.16. Vërtetimi nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.17. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.18. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.19. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.20. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat