Grabitja e bankës, Tahiri vihet në vështirësi nga pyetja e gazetares

Shqipëria

Grabitja e bankës, Tahiri vihet në vështirësi nga pyetja e gazetares

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 17:03
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri inauguroi punimet e Komisariatit Nr. 6 në Tiranë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është vënë në vështirësi sot ndërsa është pyetur nga gazetarët lidhur me grabitjen në Rinas.

Ndërkohë që po inauguronte punimet e Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Tahiri u pyet nga gazetarja Fabiola Hoxha: “Z.Tahiri, nëse pranoni pyetje, a do keni ditë të shënuar për zbardhjen e ngjarjeve dhe a keni ju një plan sigurie për të fotografuar sigurinë në rrugë, nisur nga grabitjet. 2 Grabitje të njëpasnjëshme, ndoshta 3, të pazbardhura. Pak ditë më parë thatë që do t’i zbardhim…Po kush ngjarje janë zbardhur?”

Ministri ka ngritur tonin e zërit duke iu shmangur pyetjes e duke thënë  se “mua më rezulton se Policia e Shtetit ka zbardhur disa grabitje bankash dhe nuk është falënderuar".

DEBATI I PLOTË:

Ministri Saimir Tahiri: Ok, faleminderit! Ndoshta ju nuk jeni në dijeni po deri dje komisariati Nr.6 ndoshta ka qenë komisariati i vetëm në Tiranë që ishte jashtë çdo kushti, qoftë për shërbimin ndaj qytetarëve…Nga sot fillojmë punën për komisariatin e ri të Kombinatit….Policia deri dje ishte e braktisur, sot është në qendër të vëmendjes sonë me më shumë infrastrukturë, me më shumë trajnime, me më shumë shkollë…kjo është përplasja midis policisë së djeshme dhe asaj të sotme dhe Shqipërisë së llafeve dhe të punës. Shqipëria e llafeve vazhdon punën e vet dhe më shumë gjasë gjen ndonjë gjë për të na akuzuar ditë për ditë, Shqipëria e punës është kjo. Është ditë e shënuar për banorët e Kombinatit, Vaqarrit, Pezës, Vorës Ndroqit, Kasharit…

Gazetarja Fabiola Hoxha: Z.Tahiri, nëse pranoni pyetje, a do keni ditë të shënuar për zbardhjen e ngjarjeve dhe a keni ju një plan sigurie për të fotografuar sigurinë në rrugë, nisur nga grabitjet. 2 Grabitje të njëpasnjëshme, ndoshta 3, të pazbardhura. Pak ditë më parë thatë që do t’i zbardhim…Po kush ngjarje janë zbardhur?

Ministri Saimir Tahiri: Mua më rezulton që për ju ditë të shënuar janë vetëm atëherë kur ndodhin ngjarjet.

Gazetarja Fabiola Hoxha: Kur zbardhen…

Ministri Saimir Tahiri: Ditë të shënuara për ju nuk janë atëherë kur zbardhen. Bëni zhurmën shumë të madhe atëhere kur ndodhin ngjarjet por nuk kam dëgjuar të falenderoni policinë atëherë kur i zbardh ngjarjet.

Gazetarja Fabiola Hoxha: Cilat ngjarje janë zbardhur?

Ministri Saimir Tahiri: Ne mund të biem dakord që të flas unë dhe ti të pyesësh…

Ministri Saimir Tahiri: Mua më rezulton që policia e shtetit ka zbardhur disa ngjarje, përfshirë dhe grabitje bankash, edhe vjedhje bankash. Dhe më rezulton se po bëhet një punë e shkëlqyer, hetimet po ecin përpara, bëni durim. Ju falenderoj që prisni prej nesh që ngjarjet t’i zgjidhim brenda orësh, apo brenda ditëve. Ky standard është shenjë besimi për ne. Në asnjë vend të botës nuk priten që ngjarjet të zbardhen brenda orës apo brenda ditëve. Gjithsesi ne besimin tuaj e marrim si inkurajimin më të mirë për të. Bëni durim, rezultatet do vinë!

Gazetarja Dorjana Bezat: Sa profesionale ishte puna e policisë kur në vendngjarje kishte një gëzhojë?

Ministri Saimir Tahiri: (Nuk jep përgjigje) Ju faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat