Basha: 18 shkurti, protesta më e madhe që ka parë Shqipëria

Shqipëria

Basha: 18 shkurti, protesta më e madhe që ka parë Shqipëria

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 14:57
Lulzim Basha në një takim në Kavajë.

Basha theksoi se Kavaja është qyteti i parë që vrau frikën dhe u ngrit kundër regjimit komunist, qyteti i parë që luftoi për liri, dhe nuk meriton të sundohet sot nga një i dënuar për përdhunim dhe trafik droge. Duke gjetur mbështetjen e qytetarëve të Kavajës për protestën e madhe të 18 shkurtit, Basha u shpreh se nuk kthehemi nga kjo betejë pa fitore. Dhe fitore është sigurimi i votës së lirë, dhe me anë të votës së lirë të vijë në pushtet një qeverisje për njerëzit për qytetarët. “Pushteti u kthehet qytetarëve”, tha Basha duke bërë thirrje për bashkimin e madh popullor me 18 shkurt në orën 12 në Tiranë.

  “Kam ardhur me një emocion të veçantë sot në Kavajë. Kam takuar të rinjtë e Kavajës, qytetarët e Kavajës, për t’i ftuar në protestën më të madhe, manifestimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, bashkimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, me 18 Shkurt në ora 12:00 në Tiranë. Ky emocion i madh nuk është vetëm për shkak të mikëpritjes, të ngrohtësisë të cilën më pritën të rinjtë dhe qytetarët e Kavajës, por është edhe për vetëdijen se këtu në Kajavë, në këtë komunitet, në këtë qytet të jashtëzakonshëm, 27 vite më parë qytetarët u ngritën dhe vranë frikën, vranë frikën dhe rrëzuan mitin e një diktature 50 vjeçare”, tha Basha.

“Ky është një qytet i madh, me një zemër të madhe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, shpirti i një komuniteti që u ngrit i pari, sfidoi terrorin, sfidoi frikën dhe me kurajo e mposhti atë. Ata që për 50 vjet e sunduan Shqipërinë me gënjeshtra, me mashtrime, me frikë, me terror  dhe me varfëri kurrë nuk ia falën Kavajës këtë. Ata donin me çdo kusht ta poshtëronin Kavajën, t’ia ulnin kokën, ndaj vendosën t’i vënë në krye një fytyrë, një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me kavajasit e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me Josif Budon apo me Indrit Carën, dy heronjtë e fundit të Kavajës, njëri hero i demokracisë, tjetri hero i lirisë kombëtare”, vijoi kryetari i PD.

“Protesta e 18 Shkurtit do të jetë bashkimi më i madh që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë për të drejtat e tyre, për dinjitetin e tyre, për liri, për demokraci. Dua t’i garantoj sot nga ky shesh se kryetari i ardhshëm i bashkisë së Kavajës dhe përfaqësuesit e ardhshëm të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë, për Partinë Demokratike, do të jenë përfaqësuesit e vlerave më të mira të popullit të Kavajës e të rinisë së Kavajës. Ndaj që t’i hapim rrugën përfaqësimit të vlerave të vërteta të Kavajës, le të bashkohemi në protestën më të madhe që ka patur Shqipëria në 27 vite”, nënvizoi Kreu i PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat