Reforma zgjedhore në Shqipëri në pritje të konsensusit

Shqipëria

Reforma zgjedhore në Shqipëri në pritje të konsensusit

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 13:17
Komisioni për Reformën

Shtyrja me një muaj e punës së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore nga parlamenti nuk po sjell ndonjë të re nga palët për gjetjen e konsensusit për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Ndërsa nga data e zgjedhjeve na ndajnë vetëm katër muaj, Partia Demokratike e opozitës vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj për votim dhe numërim elektronik në procesin zgjedhor, të cilin e konsideron kusht të panegociueshëm. Përdorimi i teknologjisë nuk mbështetet, jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga OSBE, e cila argumenton se nuk ka kohë të pamjaftueshme për aplikimin e saj.

Në komisionin e posaçëm, i ngritur nga parlamenti me qëllim jetësimin në kodin zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, maxhoranca dhe opozita kanë depozituar platformat respektive se ku duhet ndërhyrë për përmirësimin e ligjit elektoral.

Amendamentet e përgatitura nga PS lidhen me depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë, por dhe me transparencën e financave të fushatës së partive.

Ndërsa për Partinë Demokratike garantimi i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm sigurohet me numërimin elektronik, identifikimin biometrik, dënimin e shitblerjes së votës, transparencën për financimet publike, etj.

Por, ndërsa në letër propozimet ka kohë që janë bërë të njohura, për miratimin e tyre nuk ka ende asgjë të re.
Komisioni i reformës zgjedhore, i ngritur nga parlamenti në dhjetor 2015, kishte një mandat 6 mujor, por si ka ndodhur dhe më parë afatet janë tejkaluar, duke e vënë në dyshim ndërhyrjen ne kodin zgjedhor, të rekomanduar nga ndërkombëtarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat