Kadilli i PD: Përjashtimi i aleatëve, thjesht propozim individual

Shqipëria

Kadilli i PD: Përjashtimi i aleatëve, thjesht propozim individual

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 07:50
Fatbardh Kadilli

Fatbardh Kadilli, sekretari për Burimet Njerëzore në PD ka bindjen e plotë se me 18 shkurt do të bjerë qeveria e majtë dhe pushtetin do ta marrin qytetarët shqiptarë.

Kadilli flet për përgatitjet, mjetet që do të përdoren për protestën e së shtunës duke bërë paralelizmin me shembullin e smartfonëve në Rumani sipas të cilit protesta e tyre ishte e pashkruar. Zyrtari i lartë demokrat ndalet edhe te procesi i propozimeve online të bazës së partisë për kandidatët për deputetë, tek aleancat e mundshme të PDnë, konfliktin mes ambasadorit Lu dhe kryeprokurorit Llalla si dhe garancinë që jep opozita nesër në pushtet.

Z.Kadilli, përse do të protestojë opozita me 18 shkurt dhe pse gjithë ky mobilizim i strukturave të PDsë lidhur me këtë protestë?

Më 18 shkurt nuk proteston opozita politike në kuptimin e ngushtë të fjalës. Më 18 shkurt proteston gjithkush që është në opozitë me këtë qeveri. Protestojnë të gjithë qytetarët që për katër vjet me radhë u vodhën, u shpunësuan, u varfëruan, u poshtëruan nga një maxhorancë që sundon me arrogancë, me mashtrim, me kërcënimin e frikës, me kriminelë. Sot është e vështirë që të gjesh qoftë edhe një qytetar të vetëm që nuk ka arsye të mëdha, arsye jetike për të protestuar. Opozita qytetare do të prihet në këtë përballje nga opozita politike, e cila merr përgjegjësitë e veta si shtylla kryesore mbi të cilën qëndron sistemi politik që kemi.

Konkretisht çfarë do të ndodhë me 18 shkurt? Kreu i PD-së ka bërë thirrje që qytetarët atë ditë të mblidhen në Tiranë për të rrëzuar Edi Ramën meqenëse nuk dorë hiqet, por si mund të ndodhë kjo?

Më 18 shkurt do të ndodhë ajo që ndodh gjithnjë kur një qeveri harron krejtësisht që është në ato zyra si e punësuara e qytetarit. Do të ndodhë ajo që ndodh gjithnjë kur në pushtet qëndron një qeveri që jo vetëm i ka braktisur qytetarët, por kërcënon t’u vjedhë demokracinë. Qytetarët do të protestojnë kundër pushtetit të qeverisë për të mbrojtur pushtetin e tyre. Qeveria nuk mund t’i iki popullit siç ikin në drejtim të paditur kriminelët nga vendi i krimit.

Cili është skenari i kësaj apo këtyre protestave pasi flitet sikur të rinjtë do të ngrenë çadrat dhe do ta rrethojnë kryeministrinë për ditë me radhë deri në rrëzimin e qeverisë?

Protesta nuk është një film që xhirohet mbi skenarë të parapërgatitur, siç xhirojnë veten komedianët qeveritar. Agjit-propi qeveritar prodhon filma opozita prodhon aksion politik. Protesta është vendim, protesta është shpirt dhe vullnet politik. Më ndjeni që nuk mund të shuaj kureshtjen e askujt. Protesta i gjen vetë mjetet e veta. Vërtet mendoni se në Rumani protesta e smartfonëve ishte e parashkruar?!

Kush është tirania e rrezikshme për të cilën flet kreu Basha? Dhe si mund të rrëzohet ajo?

Tirania e rrezikshme është ajo që mban dhe kërkon t’i mbajë të pushtuara zyrat e shtetit. Tirania e mashtrimit, e korrupsionit, e krimit dhe kriminelëve që qëndrojnë në funksionet e shtetit kur duhet të ishin në burg. Tirania e varfërimit të shqiptarëve. Ky pushtet është një armik i madh i shqiptarëve.

Duket si e ekzagjeruar kjo që thoni?

Nëse dikujt i duket ekzagjerim kjo që sa thashë, po sjell në kujtesë faktin se sa herë që kanë sunduar këta soj tiranësh, shqiptarët pakësohen.

Si po ecën procesi i propozimeve online të kandidatëve për deputetë të PD-së?

Në PD po ndodh konsultimi më i gjerë i mundshëm politik në mungesë të primareve i ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Në çdo seksion po nxitet baza e partisë për të propozuar pa asnjë pengesë, pa asnjë filtër. Në shërbim të këtij procesi, që të jetë sa më i hapur, sa më përfshirës është vendosur dhe propozimi online. Cilësia e kandidaturave të propozuara është mbresëlënëse dhe unë jam shumë i lumtur për një gjë të tillë, sepse tregon besimin që kanë qytetarët te PD-ja dhe te politika. Kjo shërben që jo vetëm anëtarësia, por edhe çdo mbështetës, çdo qytetar të propozojë kandidatin e vet dhe ne të bëjmë përzgjedhjen më të mirë dhe përfaqësuese të mundshme.

Mund të më përmendni disa propozime surprizë që baza e partisë kërkon t’i ketë deputetë në Kuvendin e ardhshëm?

Do isha tërësisht i padrejtë të avancoja me çdo lloj emri. Procesi ende nuk është mbyllur dhe propozimet shtohen. Si sekretar i Burimeve Njerëzore nuk surprizohem, por vetëm gëzohem kur konstatoj prurje të reja. Çdo propozim që shkon përtej atyre tradicionale është lajm i mirë, së pari, sepse tregon që spektri përfaqësues i partisë zgjerohet dhe, së dyti, sepse tregon që procesi ka shpërblyer qëllimin për të cilin u ngrit – konsultimin e kandidaturave me gjithë votuesit.

Si do të verifikohen ata dhe cilat janë kriteret e vëna nga PD-ja që shmangin njerëzit e inkriminuar prej radhëve të saj?

Verifikimi i etikës dhe integritetit të kandidatëve nga vetë partia është një risi në politikën shqiptare. Një komision i posaçëm do të bëjë verifikimet e nevojshme mbi kritere që tejkalojnë ato çfarë vendos ligji. Ne na takon të ngremë standardin edhe më lartë se sa ua kemi kërkuar të tjerëve. Në çdo rast që PD-ja i është drejtuar shqiptarëve dhe e ka merituar besimin e tyre për të qeverisur vendin, këtë e ka bërë si kampione e vlerave më të larta morale, të cilat, në radhë të parë, mishërohen te figurat politike që prezanton. Ne jemi të vetëdijshëm për atë që qytetarët presin nga ne. Konsultimi i gjerë që kemi iniciuar na ka mësuar mjaft edhe për këtë pritshmëri.

Përse i përjashtuat aleatët nga listat e përbashkëta të PD-së siç deklaroi dhe Spaho? A i bëtë ata të pakënaqur ndaj jush?

Nuk kemi përjashtuar asnjë aleat. Ka pasur mendime dhe qëndrime individuale, por në PD nuk ka pasur një diskutim institucional për këtë çështje. Vendimi do të merret në diskutim të gjerë me strukturat drejtuese të partisë dhe me aleatët tanë në funksion të maksimalizimit të çdo vote.

A është PD-ja kundër reformës në drejtësi siç pretendon mazhoranca?

Kjo është një fabul e imponuar mediatikisht nga maxhoranca dhe nga tellallët mediatik që janë vënë në shërbim të qeverisë dhe që paguhen shpesh edhe nga paratë publike. Drejtësia e reformuar është shpresë për opozitën, siç është dhe për qytetarët. Qëllimi i një drejtësie të reformuar është ndëshkimi i korrupsionit, pastrimi dhe mbajtja pastër e politikës. Shpata e një drejtësie të reformuar do të ndëshkonte korrupsionin që ne denoncojmë çdo ditë prej katër vjetësh. Por, një drejtësi e kapur nuk mund të bëj asnjërën nga këto. Një drejtësi e kapur do të luajë teatrin e turpshëm të shndërrimit në një dyqan ku do të shiten indulgjenca për të korruptuarit. Përgjegjësit e korrupsionit galopant të shëndetësisë, të arsimit, të bujqësisë, të tenderëve, bashkë me ata të krimit dhe trafiqeve kriminale do të blejnë nga drejtësia e kapur biletën drejt parajsës në vend që të marrin biletën drejt ferrit.

Si e shikoni konfliktin mes ambasadorit amerikan Lu dhe kryeprokurorit Llalla?

Retorika mes ambasadorit dhe kryeprokurorit, në vështrimin tim është produkt i mënyrës kontraverse se si u punua për të reformuar drejtësinë. Shumë mosbesim, shumë paragjykime, shumë nervozizëm, fare pak profesionalizëm dhe në fund një dakordësi e minutës së fundit. Çdo gjë e mirë në këtë reformë u arrit prej parimësisë së qëndrimeve të opozitës, prej konsultimit profesional të Komisionit të Venecias dhe prej vendosmërisë në negociatë të z.Basha. Ne nuk përfshihemi në debate të tilla. Ne presim që përgjegjësit për shitblerjen e votës të faktuara në tre palë zgjedhje, të organizuara nga kjo mazhoranca, të vihen para drejtësisë, përgjegjësit për korrupsionin galopant të japin llogari, përgjegjësit për kthimin e Shqipërisë në hambarë droge që ka pushtuar Europën të përgjigjen para drejtësisë. Kjo është ajo që ne presim dhe çdo kontribut i ekspertizës më të mirë hetimore amerikane dhe europiane është e mirëpritur.

Gjithsesi, a besoni se ambasadori Lu po tejkalon kostumin e diplomatit dhe po ndërhyn në çështjet e politikës shqiptare?

Në pamundësinë tonë për t’u marrë vesh mes vetes gjithnjë kemi kërkuar protagonizëm nga ndërkombëtarët. Më shumë se sa të vëzhgojë performancën e përfaqësuesve të ndërkombëtarëve, prirem të vëzhgoj e të bëj sa mundem presion mbi performancën e shqiptarëve.

Përse PD-ja vendosi të bojkotoni komisionet kuvendore dhe deri kur do të zgjasë ky bojkot?

Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë të mundshme të diskutimit dhe komunikimit me qytetaret, për të kthyer në Shqipëri parimet dhe normat elementare demokratike siç janë zgjedhjet e lira. Koha kërkon të udhëheqim opozitën e qytetarëve. Ky është aksioni politik primar dhe vendimtar.

Cila është strategjia e PD-së për të ardhur në pushtet?

Strategjia jonë është aleanca me qytetarin. Është angazhimi për të zgjidhur problemet që Vazhkanë sot shqiptarët, angazhimi për të ndryshuar politikën, për ta bërë atë realisht të qytetarëve për qytetarët. Programi i konsultuar masivisht dhe disa herë me qytetarët dhe i hartuar me ekspertizën më të mirë të CDU-së se Kancelares Merkel. Besoj ju patët mundësinë ta ndiqni prezantimin e saj nga z.Basha dhe vlerësimin maksimal të ekspertëve gjermanë, të cilët e shohin si rrugën e zgjidhjes së krizës që po kalon vendi dhe kthimit të shpresës për rininë dhe çdo qytetarë, si dhe një ekip përfaqësues me vlera të larta morale dhe intelektuale.

A mund të vijë PD-ja në pushtet nëse LSI vazhdon të jetë në koalicion me PS-në?

PD-ja është forcë e madhe politike që ka lindur të udhëheqë vendin. E ka bërë këtë dy herë në këto 25 vjet dhe do ta bëjë përsëri edhe me më shumë sukses. PD-ja ka lindur si forcë që përmbys pushtetet antiqytetare, si forcë që merr përgjegjësi për fatet e vendit jo si forcë që kalkulon objektivin sipas zgjedhjeve të radhës. PD-së ia japin pushtetin qytetarët, askush tjetër.

A e mbështesni një aleancë me LSI-në vetëm me qëllimin e vetëm për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti?

Mbështes aleancën me qytetarët shqiptarë. Mbështes aleancën me çdo opozitar, qoftë ky individ i vetëm apo në një parti politike. Mbështes aleancën me ata që duan të largojnë qeverinë antiqytetare të Edi Ramës. Qeverinë e rrëzojnë qytetarët dhe opozita. Qeverinë nuk e rrëzojnë interesat volative të partive apo pjesëzave të qeverisë.

Çfarë premton PD-ja nesër në pushtet?

PD-ja premton një qeveri për qytetarin, premton trajtim dinjitoz për çdo qytetar, për çdo problem, premton frymëmarrje që vjen nga zgjerimi i lirisë. PD-ja premton mundësi të barabarta dhe të shtuara për çdo shqiptar për të punuar, për të bërë biznes, për t’u arsimuar. PD-ja angazhohet për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e dashur, të zhvilluar dhe dinjitoze për shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat