Basha: TVSH do të ulet në 15 %, çdo shqiptar pagoi 500 USD taksa shtesë

Shqipëria

Basha: TVSH do të ulet në 15 %, çdo shqiptar pagoi 500 USD taksa shtesë

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 11:48
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me biznesin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpalosi, gjatë një takimi me biznesin, pikat kryesore të programit ekonomik të opozitës.

Për shefin e opozitës, në këto katër vjet taksat janë rritur me 1,5 miliard dollarë dhe çdo shqiptar ka paguar 500 USD taksa shtesë.

“Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 për qind”, deklaroi Basha.

Ai shtoi se tatimi mbi dividentët do të zerohet. “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ketë një shkallë të vetme tatimore prej 15%. Tatimi i biznesit të vogël do të jetë kuotë fikse, 1,5% e xhiros, që do të zëvendësojë tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH-në”, nënvizoi Basha.

Për kreun demokrat, paratë e taksave do të vendosen në shërbim të taksapaguesit. “Abuzimet që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 310 milionë USD për luks do të marrin fund. Këto para do t’u kthehen qytetarëve përmes investimeve që sjellin zhvillim, mirëqënie dhe punësim”, u shpreh Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat