Basha në Durrës, thirrje qytetarëve: Të ndalim betonin e Dakos e bandat e Ramës

Shqipëria

Basha në Durrës, thirrje qytetarëve: Të ndalim betonin e Dakos e bandat e Ramës

Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 11:02
Kreu i PD-së Lulzim Basha u ndal mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit

Kreu i PD-së Lulzim Basha u ndal mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, nga ku ftoi qytetarët të bashkohen në lëvizjen e madhe të 18 shkurtit në Tiranë, për të ndalur pushtetin e korruptuar dhe të inkriminuar që i ka braktisur ata.

Kryetari i selisë blu u ndal edhe në sheshin “Veleria” të Durrësit, ku rrezikohet të shkatërrohet pasuria arkeologjike e qytetit pas zbulimit të themeleve të një godine që i përket pushtimit otoman. Nga ky shesh, Basha tha se "po hidhen 6 milionë dollarë taksa për mure betoni të blerë te Gjushi".

“Pa pyetur qytetarët, dhe në kundërshtim me ligjin, pa asnjë leje arkeologjike, apo mjedisore, po hedhin 6 milion dollarë të taksave të durrsakëve, 6 milion dollarë të shqiptarëve, për një mur betoni. Nga këto 6 milion dollarë, 3 milion do shkojnë për të blerë beton te Gjushi. Me këto 6 milion dollarë mund të ndërtoheshin 500 apartamente për çiftet e reja të pastreha të Durrësit. Me 6 milion dollarë mund të jepet asistencë ekonomike për 12 mijë familje në Durrës, të cilët sot nuk e marrin atë dhe nuk paguajnë dot as faturat e energjisë”, tha Basha.

Kreu i PD-së përshëndeti reagimin e shoqërisë civile dhe të qytetarëve të Durrësit që kanë reaguar për këtë projekt, të cilin e cilësoi si skandaloz dhe korruptiv që shkatërron vlerat historike të qytetit.

Por Basha theksoi se duhet një bashkim i madh si i 18 shkurtit, për të ndalur këtë kastë të korruptuar që kërkon të qëndrojë në pushtet për të vazhduar vjedhjet dhe abuzimet, duke mos lejuar votën e lirë të qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

“Në 18 shkurt i ftoj qytetarët e Durrësit që zemërimit të tyre t’i japin zë, që protestës së tyre t’i japin formë duke u bashkuar në Tiranë. Duke u ngritur bashkë në Tiranë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes të cilave të sjellim një qeveri që nuk i shpenzon paratë e taksave të tyre për të mbushur xhepat Dako-Rama, por i shpenzon për problemet e tyre akute që kurrë nuk kanë qënë më të mprehta për Durrësin dhe qytetarët e tij”, bëri thirrje Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat