PD akuzon qeverinë: Po vjedh qytetarët me energjinë

Shqipëria

PD akuzon qeverinë: Po vjedh qytetarët me energjinë

Më: 4 shkurt 2017 Në ora: 13:09
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e PD-së, Grida Duma

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama të shtunën se po vjedh qytetarët shqiptarë duke i mbifaturuar për energjinë elektrike.

Në një deklaratë për shtyp, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun pranë partisë opozitare, Grida Duma, tha se Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata.

“Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar. Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë, dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër,” tha ajo.

Duma akuzoi qeverinë se pjesën që nuk paguajnë  miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar.

Më tej, ajo po ashtu akuzoi qeverinë se jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë.

“Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve,” tha Duma, duke folur për protestën e paralajmëruar këtë javë edhe nga lideri demokrat Lulzim Basha.

Duma tha se më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat