PD nis protestat, më 18 shkurt në shesh për zgjedhjet e qershorit

Shqipëria

PD nis protestat, më 18 shkurt në shesh për zgjedhjet e qershorit

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 10:18
Mbledhja e PD

Opozita merr vendim, më 18 shkurt nisin protestat në shesh Kryesia e Partisë Demokratike vendosi tu rikthehet protestave. Vendimi i marrë dje pasdite nga kryesia, ku bëhet e ditur se me 18 shkurt do të nisin protestat me sloganin: “Duam zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Sipas Partisë Demokratike, identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik janë kushtet minimale për zgjedhje të lira. Çështja e zgjedhjeve u theksua edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur gjatë pjesës publike të mbledhjes së Kryesisë. “Zgjedhjet e lira e të ndershme janë potencuar si kusht i panegociueshëm për integrimin e vendit, por duket se Rilindja e 1 prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë me çdo kusht gjendjen aktuale, të ruajë status quo-në, ta mbajë të pandryshuar për t'u pasuruar”, ka akuzuar Basha Qeverinë.

Lulzim Basha, në një komunikim me mediat, lajmëroi se në të do të merren “vendime të rëndësishme dhe për t’u dhënë shqiptarëve mbështetjen e plotë për votë të lirë dhe zgjedhje të ndershme. Basha ka theksuar në fjalën e tij se ka lajmëruar edhe ndërkombëtarët për një rrjet të organizuar nga qeveria, gati për zgjedhjet e Qershorit, për të vjedhur vota dhe për të mos lejuar zgjedhje të lira. “Edi Rama me ministrin e tij të drogës Saimir Tahirin, dhe me një kupolë drejtuesish të korruptuar në Policinë e Shtetit, kanë krijuar qark më qark, në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë me kriminelë të regjur, nga eksponentë të njohur të krimit të organizuar, nga ish-të dënuar për krime të rënda, nga narkotrafikantë të skeduar ndërkombëtarisht, që kanë marrë për detyrë të blejnë vota, të dhunojnë zgjedhësit për llogari të Edi Ramës. Opozita zotëron emër për emër organizimin e këtij rrjeti, ndërkombëtarët janë në dijeni gjithashtu”, tha kryedemokrati.

Kreu i PD i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen pasi është momenti që Shqipëria të ndahet sipas tij, një herë e përgjithmonë nga krimi politik. “Detyra jonë si demokratë, është për të zgjuar, mbështetur reagimin e qytetarëve për të qenë zëri dhe mbështetja e tyre në çdo formë reagimi demokratik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë interesa jetike të vendit. Sa më parë t’ia presim rrugën së keqes aq më pak kosto do të kemi. Është momenti që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga krimi politik. Sot, dua të ftoj të gjithë partitë politike, intelektualët, qytetarët shqiptarë pa dallime politike që të bashkohemi për të çliruar me çdo kusht shansin më të madh që ofron demokracia që u jep qytetarëve, votën e lirë. Kjo është beteja dhe Partia Demokratike do të jetë në ballë të saj”, tha kreu demokrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat