PS mbledh kryesinë. Peleshi: Qasja jonë strategjike, jo taktike

Shqipëria

PS mbledh kryesinë. Peleshi: Qasja jonë strategjike, jo taktike

Më: 31 janar 2017 Në ora: 18:41
Niko Peleshi

Partia Socialiste ka mbledhur këtë të martë kryesinë e saj, një ditë pas shkarkimit të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.

Në përfundim të takimit, zv.kryeministri Niko Peleshi ka deklaruar për mediat se, qasja e Partisë Socialiste në koalicionin qeverisës është strategjike dhe jo taktike. 

“Rikonfirmoj se ne kemi vetëm një qasje në koalicion, qasje strategjike dhe jo taktike. Partitë e tjera mund të kenë qasje taktike, por ne nuk do të veprojmë kështu”, ka thënë Peleshi. 

Ai ka theksuar se, strategjia e PS për të qeverisur vendin në rrugën e reformave, “që kërkojnë angazhim dhe jo taktika”, nuk do të ndryshojë. 

“Ne mund të mirëkuptojmë që partitë në koalicion të mund të kenë taktika, përsa kohë nuk devijojnë strategjinë e qeverisjes”, ka vijuar Peleshi, i cili shkarkimin i ministrit Manjani e ka cilësuar si “të drejtë”.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se, “çdo harxhim kohe me telenovela dhe gjëra të së shkuarës nuk i bëjnë mirë Shqipërisë”. 

“Qytetarët presin ta shohin qeverinë në punë dhe po ashtu edhe bashkinë. Ekipi është më i rëndësishëm se individët dhe kur ekipi punon i bashkuar nuk ka gjë që nuk arrihet. Duhet të jemi të fokusuar tek nevojat e vendit, telenovelat nuk çojnë asgjëkundi”, ka thënë Veliaj. 

Ai ka lënë të kuptohet se shkarkimi i Manjanit ka qenë një vendim i kryeministrit Rama. “Në një skuadër si ajo e drejtuar nga Edi Rama, që është kapiten, është ai që vendos. Por ka shumë gjëra më të rëndësishme”, ka vijuar Veliaj, për të shtuar se koalicioni me LSI do të vazhdojë. 

“PS i ka ndezur motorët për një koalicion strategjik në zgjedhje. Aleanca me LSI është një projekt strategjik që shkon përtej një mandati”, ka thënë Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat