Basha pret Borchardt dhe Lu: Do bëjmë gjithçka për zgjedhje të lira

Shqipëria

Basha pret Borchardt dhe Lu: Do bëjmë gjithçka për zgjedhje të lira

Më: 31 janar 2017 Në ora: 13:47
Takimi Basha-Borchardt e Lu

Kreu i PD-së Lulzim Basha priti sot në takim kryetarin e pranisë së OSBE në Tiranë, Bernard Borchardt dhe ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu, ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe zgjedhjet parlamentare.

"Zhvillimet e fundit, ku ministra të qeverisë kanë konfirmuar problemet e ngritura nga opozita për kriminalizimin e qeverisjes, të shtetit, të pushtetit lokal, të policisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, faktet e dala për lidhjen e figurave kryesore të mazhorancës me kokat e krimit të organizuar, janë dëshmi e fuqizimit të krimit dhe mosshkëputjes së mazhorancës nga krimi”, tha Basha në takim.

Kreu i selisë blu shtoi se refuzimi për të pranuar votimin dhe numërimin elektronik, është provë e qartë e mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Mobilizimi i kontigjentit kriminal të lidhur me trafikun e drogës me mbështetjen e krerëve të policisë, futja e parasë së krimit, moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, kapja dhe vënia e medias nën tutelën e qeverisë, janë shenjat e përpjekjes së qeverisë për të dhunuar zgjedhjet e ardhshme”, vijoi kreu i PD.

Basha u bëri të qartë ambasadorëve se opozita është e vendosur të bëjë gjithçka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme. Votimi dhe numërimi elektronik, tha Basha, është e vetmja rrugë për kthimin e besimit tek vota e lirë.

Të njëjtën rëndësi për të siguruar zgjedhje të lira, shtoi Basha, ka edhe zbatimi i dekriminalizimit, liria e medias, dhe transparenca mbi financat e fushatës zgjedhore.

Zgjedhjet e lira e të ndershme, janë një nevojë jetike për stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë, theksoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat