PD: Rama kërkon të gjithë pushtetin, edhe Avokatin që i takon popullit e opozitës ta propozojë

Shqipëria

PD: Rama kërkon të gjithë pushtetin, edhe Avokatin që i takon popullit e opozitës ta propozojë

Më: 25 janar 2017 Në ora: 11:03
Pamje nga mbledhja në Komisionin e Ligjeve

Partia Demokratike ka denoncuar mënyrën se si po kërkohet të zgjidhet Avokati i Popullit i cili ka një rol të rëndësishëm në procesin dhe kontrollin e Reformës në Drejtësi.

Është deputeti demokrat, Eduart Halimi ai i cili gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve, ka deklaruar se Edi Rama kërkon ti nënshtrojë të gjitha pushtetet, duke dashur të marrë në kontroll edhe Avokatin e Popullit.

Deklarata e Eduart Halimit në Komisionin e Ligjeve:

“Procesi qeveritar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është tërësisht i kundërt me traditën, paktin politik dhe frymën kushtetuese. Avokati i popullit nuk mund të jetë kurrë një zgjedhje e kryeministrit.

Ai i përket popullit, qytetareve dhe duhet të jetë rojtar i të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve. Ai duhet të jetë zëri kundër kryeministrit, dhe jo kukulla e kryeministrit.

5 vjet më parë kur ju ishit në opozite dhe ne ishim në pushtet, e kërkuat me ngulm deri në bojkot avokatin e popullit. Dhe çfarë bëmë ne? Respektuam frymën e Kushtetues, ua dhamë ju të drejtën për të propozuar Avokatin e Popullit.

Të gjithë e kujtojnë mire se konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit u bë në selinë e PS. Komisioni ad-hoc i PS kryesohej nga znj. Gjermeni dhe PS zgjodhi vetë mes 12 kandidatëve të preferuarin e saj. Ne e respektuam tërësisht dhe e votuam kandidatin tuaj, sepse Avokati i Popullit nuk duhet as ushtar dhe as kukulla e kryeministrit.

Sot, pas 5 vjetësh po ndodh e kundërta; dhe kjo për 2 arsye;

E para lidhet me arrogancën dhe delirin që ka Edi Rama, fitova zgjedhjet i dua të gjitha pushtetet për vete. Ç’më duhet mua, se çfarë thoja në opozitë.

E dyta, ka lidhje me reformën në drejtësi: kompetencat kushtetuese që iu dhanë me 22 korrik Avokatit të Popullit si një figure kushtetuese larg qeverisë, po i rrëmben Edi Rama, duke e kthyer në kukull të tij këtë institucion për të zgjedhur dhe influencuar qeverinë e gjyqësorit.

Për ne, është e qarte, por te jete e qarte për të gjithë, për publikun dhe për palën tjetër ‎se; zgjedhja e Avokatit të Popullit nga kryeministri e shndërron këtë institucion kushtetues, në një kukull te kryeministrit dhe shërbëtor të bindur të tij.

Arroganca dhe deliri i kryeministrit për të rrëmbyer të gjitha pushtetet, përfshirë dhe këtë që i përket popullit, është rruga më e shkurtër për të ikur nga p‎ushteti, skenarë për këtë ka plot nga vendet më të largëta, deri tek fqinjët. Për ne, marrja e Avokatit të Popullit nga kryeministri është një akt i papranueshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat