Debate te Komisioni i Medias, Gentian Sala thirret urgjent për të raportuar për pasurinë ‘e papritur’

Shqipëria

Debate te Komisioni i Medias, Gentian Sala thirret urgjent për të raportuar për pasurinë ‘e papritur’

Më: 23 janar 2017 Në ora: 11:47
Mbledhja e Komisionit të Medias

Komisioni i Medias, është përfshirë sot në debat lidhur me dhënien e licencave dixhitale dhe pasurimi “e papritur” të kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala. Mësohet se komisioni ka marrë vendimin që ditën e mërkurën Gentian Sala të raportojë për këtë skandal në komisionin e Medias.

Kryetari i komisionit të Medias, Genc Pollo, deklaroi se nuk mund të lejohen skandale të tilla me AMA.

Ja debati i zhvilluar sot në komision:

Genc Pollo: Para se të diskutojmë për çështjen e ditës dua të them se s’mund të lejojmë skandale të tilla me AMA. Shqetësimi është ngritur nga operatorët lokalë. Mediat kanë publikuar pasurimin e familjes Sala. Pasuri e pajustifikuar nga të ardhurat zyrtare të tij, në masën 10-fish. Kjo na bën të shqetësohemi për institucionin publik, nuk mund të lejojmë që skandalet të vijojnë njëri pas tjetrit, duhet të ketë pasoja. Kjo jo mbi bazë paragjykimi, por hetimeve serioze. Shpresojmë të kemi konsensusin çfarë do bëjmë si Komision”.

Fatmir Toçi: Të bëjmë dhe seancë me Drejtorin e AMA. Nëse ka çështje që është për diskutimin në Komision e Medias, ta shqyrtojmë atë edhe këtu.

Luçiano Boçi: Gentian Sala po monopolizon tregun, përjashtoi pa të drejtë Ora News.

Musa Ulqini: Komisioni nuk është institucioni që jep konkluzionin për pasurinë.

Genc Pollo: Komisioni ka detyrë të veprojë me uficarë që abuzojnë me detyrën. E vetmja gjë që kërkojmë është se duam qartësi të pozicionti të AMA, për çështjen personale, por dhe çështjen e licencave digitale.

Musa Ulqini: AMA është garant i zbatimit të ligjit, duhet ta shihni çështjen në dy anët, prandaj kërkuam dy seanca dëgjimore. AMA është institucioni garant i zbatimit të ligjit të mediave, në mënyrë të padrejtë është sulmuar vetëm se ka kërkuar të zbatohet ligji. Nuk duhet të jemi të njëanshëm. Është krejt e padrejtë. Ka media të lira që shkelin ligjin.

Genc Pollo: Dhënia e licencave dixhitale, a lidhet kjo me pasurinë  e Gentian Salës? Po të mos ishin dokumentet personale nuk do kisha marrë mundimin, por më detyruan faksimilet. Është pasuruar 10 herë më shumë. Mund të jetë pasuruar nga një gjyshe e pasur, por duhen dokumentet për të verifikuar. Duhet të jemi hulumtues, por nuk mund të flemë gjumë. Si komision kemi përgjegjësinë për të mbikqyruar AMA-n. Në shkelje të ligjit 62 duan një operatorit të vetëm ti japin të gjitha licencat dixhitale dhe pasurimi i menjëhershëm i tij. Presioni që bën komisioni ynë është për të zbardhur çështjen. Prandaj nuk shoh arsye që të na pengojë të veprojmë. Ti drejtohemi ILDKP-së dhe prokurorisë dhe ta hetojë. Por ne duhet ta çojmë si komision ti drejtohemi për të hetuar dhe raportuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat