Rikthehet debati pë objektin në kalanë e Shkodrës, Pëllumb Xhufi: Ku po gabojnë kisha e myftinia

Shqipëria

Rikthehet debati pë objektin në kalanë e Shkodrës, Pëllumb Xhufi: Ku po gabojnë kisha e myftinia

Më: 23 janar 2017 Në ora: 10:13
Kisha-xhami në Kalanë e Shkodrës

Kisha-xhami në Kalanë e Shkodrës, monument kulture, i njohur për katolikët si Kisha e Shën Shtjefnit dhe për myslimanët si Xhamia e Sulltan Mehmetit, prej vitesh ka nxitur debat mes të krishterëve dhe besimtarëve myslimanë në atë qytet e më gjerë.

Shkak për këtë është bërë fakti se objekti ka shërbyer si kishë për disa shekuj, e më pas me rënien e Shkodrës 500 vite më parë, si xhami sipas autorëve Theodor Ippen te “Shqipëria e vjetër”, Kostandin Jireçek te “Historia e Serbëve” dhe Aleksandër Meksi te “Arkitektura e kishave të Shqipërisë” VII-XV. Për sa më sipër, myftiu i Shkodrës, imami Muhamed Sytari, në një intervistë për “GSH”, tha javën e shkuar se “emërtimi kishë-xhami i një objekti adhurimi është krejtësisht qesharak dhe abuzues” dhe ngulmoi që objekti është xhami dhe se nuk ka dëshmi që provojnë të kundërtën. I pyetur nga “GSH” nëse do të ishte e pëlqyeshme që secili komunitet fetar, të kryente shërbesat e të falej në të njëjtin objekt, sipas festave, imami thotë se “myslimanët falen në xhami, të krishterët (këtu, katolikët) në kisha”. 

Teksa jepte rastin e xhamisë së Prezës, imami shprehej se, “në shumë kala të vendit ekzistojnë xhami të tilla, si rasti i asaj në kalanë e Prezës, që u inaugurua në vitin 2015, edhe me praninë e Presidentit të Turqisë, z. Taip Rexhep Erdogan, falë investimit të organizatës qeveritare turke ‘TIKA'”. Duke e cilësuar meshën e mbajtur në kala si provokim, Sytari shtonte se, “një bashkëpunim i shtetit shqiptar me atë turk në këtë drejtim do të ishte më se i duhur dhe me dobi. Edhe pse, mendoj se restaurimi i xhamisë shekullore të kalasë së Shkodrës mund të bëhet edhe me financime të vetë qeverisë shqiptare, pasi ajo mbetet një gjurmë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare”. 

Në një intervistë për “GSH”, profesor Aleksandër Meksi tha se objekti ka qenë së pari kishë e mandej xhami. Ai sqaroi rrethanat historike e shtoi se, kush bën sherre me fenë, nuk beson ne Perëndi. Të premten, në një reagim për “GSH”, famullitari i katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, Dom Artur Jaku, i cili në 26 dhjetor mbajti meshën në kalanë e Shkodrës, dha një lloj përgjigjeje për debatet e fundit mbi objektin kishë-xhami (monument kulture) në Kalanë e Shkodrës. Dom Artur Jaku, i cili është famullitar i katedrales që bart emrin e kishës së kalasë, tha se kisha në Shkodër, s’ka vullnet tjetërsimi mbi kishën- xhami në kala, se për çdo meshë është marrë leje në instancat e duhura dhe se as nuk duan protagonizëm, as heroizëm. Ai shprehej se “për ekzistencën e Kishës së Shën Shtjefnit s’mund të ketë asnjë hije dyshimi”, e megjithatë shtoi se “zhvillimi i një liturgjie, s’mund të jenë minuta bezdisjeje, por përkundrazi, minuta paqeje”. 

“Debati”, herë në heshtje e herë me prononcime, mes komuniteteve fetare, nisi vite më parë, kur një ambasadë e huaj dha një fond të konsiderueshëm për restaurimin e objektit si kishë, çka u kundërshtua nga komuniteti mysliman, i cili tani kërkon që objekti të restaurohet si xhami nga ‘TIKA”. Në vijim të intervistave që “GSH” ka marrë për çështjen, botojmë sot, reagimin që i kemi kërkuar profesor Pëllumb Xhufit, historian që i ka kushtuar shumë kohë studimit të Mesjetës. 

Nga Pëllumb Xhufi 

HARMONIA FETARE MES FIKSIONIT E REALITETIT

Një intervistë e myftiut të Shkodrës, z. Muhamed Sytari, dhënë një televizioni turk, risolli vëmendjen dhe shqetësimin rreth debatit që ka shpërthyer prej disa vjetësh lidhur me identitetin historik të monumentit të kultit brenda mureve të kështjellës Rozafa, i njohur nga të krishterët si kisha katedrale e Shën Stefanit (Shtjefnit), dhe nga myslimanët si xhamia e Mehmet Fatihut. Mjerisht, deklaratat e myftiut përmbajnë të pavërteta, që ngacmojnë të gjithë shqiptarët deri në idenë dhe qenien e tyre kombëtare. Nuk e gjejmë të nevojshme të zgjatemi në komentin e deklarimeve të tij, aq më tepër që së fundi për këtë çështje është shprehur gjerë e gjatë në një shkrim të shkëlqyer studiuesi Agron Gjekmarkaj. Ky e ka rrokur problemin në tërësinë e tij, e krahas aberracioneve të myftiut, nuk mungon të fshikullojë edhe këmbënguljen e ndonjë kleriku katolik për të shuguruar si kishë përsëri sot, pas gati 550 vjetësh, një objekt kulti, që e nisi jetën si kishë, e vazhdoi si xhami, dhe sot është e duhet të jetë thjesht një monument kulture, dëshmi lapidare e historisë sonë të trazuar, por dhe e asaj paqeje e harmonie fetare, që përbën një nga vlerat e mëdha të shoqërisë sonë. 

Sigurisht, meriton vlerësim qëndrimi i matur i komunitetit mysliman të Shkodrës dhe i vetë myftinisë, që nuk i janë përgjigjur provokimit të ndonjë famullitari ekstremist, i cili mendon se jeton në epokën e kryqëzatave dhe çdo 26 dhjetor, ditën e Shën Stefanit, u prin besimtarëve në një ritual grotesk që zhvillohet në rrënojat e kishës-xhami, aty sipër në kështjellë. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos kundërshtojmë leximin që z. Sytari i bën historisë së shqiptarëve, e në mënyrë të veçantë historisë së shek. XV. Nuk dimë ku t’i klasifikojmë bindjet e njohuritë historike të myftiut, kur në emër të myslimanëve shqiptarë i thur ditirambe dhe përulet me nderim përpara figurës së Mehmetit II, sulltanit që më 1479 kaloi në teh të shpatës të gjithë popullsinë e Drishtit e një pjesë të mirë të vetë Shkodrës. 

Si mund të quhet “çlirues” i Kostandinopojës dhe i vetë Shkodrës, një sulltan i tillë, i cili as nuk e shkonte ndërmend të fshihte shpirtin mizor e hovin pushtues të tij dhe prandaj as nuk u quajt ndonjëherë “Mehmet çliruesi”, siç i pëlqen ta cilësojë atë myftiu i Shkodrës. Përkundrazi, sulltani që më 1453 u bë zot i Kostandinopojës e më 1479 mori edhe vetë Shkodrën, deshi të quhej thjesht e vetëm “Mehmet pushtuesi” (Fatih)! Si mund t’i quash shqiptarët myslimanë shtetas të devotshëm të Perandorisë Osmane, kur kronikat e shek. XVI-XX janë të mbushura me kryengritje e përpjekje të pareshtura për çlirimin nga sundimi osman e për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, ku pikërisht vendi dhe roli i tyre ishte vendimtar? Qartazi, myftiu i Shkodrës, z. Mehmed Sytari ka një raport të shtrembër me historinë. Dhe nuk është i vetmi. Në një shkrim të botuar në datën 20 janar në “Gazetën Shqiptare”, kleriku katolik, dom Artur Jaku, përfshihet në debatin mbi kishën-xhami të Shkodrës, duke na bërë të ditur se qenka pikërisht ai që u prin pelegrinazheve dhe meshave që tashmë zhvillohen çdo 26 dhjetor në rrënojat e ish-kishës katedrale të Shën Stefanit, alias ish-xhamisë sulltanore të Mehmet Fatihut. Dom Jaku vetëprezantohet si “famullitar i katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër”. Çudi! Në vitin 1479, kishën katedrale të Shën Shtjefnit e drejtonte një ipeshkv fjalërëndë e hijerëndë. Nuk di si e ka hijen dom Jaku, por fjalën me siguri e ka të lehtë. 

Gjithsesi, eprorët e tij do të dinë ta vlerësojnë zellin e tij për të kryer çdo 26 dhjetor ritualin e pelegrinazh-haxhillëkut në kishën-xhami të kështjellës së Rozafës, dhe s’është çudi që famullitari i sotëm të jetë ipeshkvi i nesërm i Shkodrës, me seli në kështjellë, në kishën e Shën Stefanit të rindërtuar, të pastruar nga “turqizmat” (minarja) e të rishuguruar. Ndërkohë, dom Jaku ka argumentet e tij për të justifikuar ceremonitë fetare dhe meshat e tij në rrënojat e ish-kishës katedrale të Shën Stefanit. Këto, sipas tij, janë thjesht një kremtim i lidhjeve të kishës së Shën Stefanit me historinë. Sigurisht, e ka fjalën për historinë e krishterë të objektit. Por historia e këtij ka vazhduar edhe në vitet që pasuan pushtimin e Shkodrës nga turqit osmanë, kur kisha e dikurshme e Shën Stefanit u kthye prej tyre në xhami dhe për 500 vjet shërbeu si e tillë. Historia as nuk zhbëhet, as nuk përvetësohet.

Dhe gjithashtu nuk shtrembërohet, siç bën në shkrimin e tij dom Jaku. Sigurisht, thotë të vërtetën kur e lidh shndërrimin e kishës famëmadhe të Shën Stefanit në xhami me kushtet e një pushtimi të huaj, me pushtimin osman. Por nuk e ka drejt kur e lidh ndërtimin apo pagëzimin e asaj kishe me një periudhë lirie, me periudhën, siç thotë rrëmujshëm ai, “e shtetit autokton shqiptar” (?). Kjo qenkësh periudha e martirëve të parë të kishës, kur i Gjithëfuqishmi vendosi t’i blatojë Shkodrës dhe kishës së saj katedrale emrin e protomartirit Stefan. Ashtu si nacionalistët folkloristë, që i ndërtojnë skemat e tyre mbi bazën e parimit të hershmërisë, edhe dom Jaku me sa duket don të thotë, se meqë historia e krishterë e objektit të kultit në Rozafë është “më e hershme”, madje shumë më e hershme se historia islame e tij, objekti duhet t’i kthehet kishës katolike. 

Mirëpo, po të zgjidheshin çështjet ashtu, do të duhej që Ballkani të lirohej nga të ardhurit e vonë, sllavët, dhe po ashtu Lindja e Mesme të pastrohej nga arabët e t’u kthehej tërësisht hebrenjve. Nga ana tjetër, po të duam të jemi korrektë me historinë, do duhet të themi se ndërtimi dhe pagëzimi i kishës katedrale në Rozafë nuk ka gjasë të ketë ndodhur në shek. I, kohë kur edhe u flijua protomartiri Stefan. Historia e saj lidhet me shek. XIII-XIV, kur Shkodra e një pjesë e mirë e trevave tona të veriut ranë nën sundimin e mbretërisë serbe. Dhe dihet, shteti dhe kisha serbe kishin zgjedhur si pajtor të tyre pikërisht protomartirin Stefan. Prandaj, emrin “Stefan” e mbajnë një pafundësi kishash mesjetare serbe, dhe njëherësh e mbajnë edhe të gjithë mbretërit serbë të shek. XII-XIV, nga Stefan Nemanja te Stefan Dushani. 

Ndonjë kishë e rrallë në Shqipërinë e veriut (në jug nuk bëhet fjalë), që mban emrin e Shën Stefanit, datohet gjithmonë në hapësirën e këtyre dy shekujve. Dom Jaku nuk duhet të tronditet nga kjo e vërtetë, nëse nuk e di, dhe nuk duhet ta fshehë apo ta shtrembërojë atë, në rast se e di. Kjo është historia. Në fund të fundit, edhe ato kisha në zonën e Shkodrës e të Lezhës, që mbajnë emrin e Shën Markut, janë ndërtuar e shuguruar gjatë shek. XIVXV, kur aty ka sunduar shteti i Venedikut, i cili kishte për pajtor të vet pikërisht ungjillorin Mark. Shqiptarët, siç dihet, kanë ndjekur më së shumti kultin e shenjtëve të tjerë, të Shën Sergjit e Bakut, të Shën Gjergjit, Shën Kollit, Shën Gjonit, Shën Vlashit, Shën Ilisë, Shën Mëhillit etj. 

Gjithsesi, pasi i përligj me sharm të rremë historik vizitat dhe meshat kuptimplote që udhëheq çdo 26 dhjetor në ish-kishën e Shën Stefanit, dom Jaku u përgjigjet kritikave që shoqërojnë me të drejtë gjestin e tij donkishotesk, duke thënë se ceremonitë fetare që ai kryen te kisha-xhami e Shën Stefanit kanë edhe një vulë institucionale: për to është marrë leje në Ministrinë përkatëse të Kulturës. Por, të mos t’u besojë shumë dom Jaku lejeve e vulave që lëshon ndonjë neofit i papërgjegjshëm i asaj ministrie. Sepse si të gjithë neofitët, edhe ata që administrojnë artin e kulturën në këtë vend qëllojnë që zellin ta kenë të madh, por dijen të pakët dhe xhepin të thellë. Nga duart e menaxherëve të tillë të artit e të kulturës kanë dalë deri edhe leje për të ndërtuar biznese e pallate moderne mbi qytete, mbi kështjella e mbi varreza antike. 

Nga mendje të tilla dalin ide të tilla të çmendura, si ajo që para pak kohe deshi ta rindërtojë si “katolike” kishën e Shën Thanasit të Dhërmiut, meqë aty, në shek. XVII, kishin meshuar për disa kohë murgjit bazilianë të ardhur nga Roma. Pak rëndësi kishte nëse murgjit në fjalë praktikonin edhe ata, si gjithë banorët e Himarës, ritin oriental (bizantino-ortodoks). Pra, për çështje të tilla të koklavitura si ajo e kishës-xhami të Shkodrës, kleri katolik bën mirë të mos t’i drejtohet mendjes aguridhe të atyre që kanë zyrat dhe vulat e shtetit. Më mirë t’i drejtohen ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së veçantë që pikërisht kleri katolik shqiptar ka pasur si edukator i shqiptarëve dhe i shqiptarisë. 

Qëndrimet e sjelljet e famullitarit dom Jaku apo, në përgjithësi, e klerit katolik (që s’më bëhet mbarë ta quaj “shqiptar”, për sa kohë hierarkia e tij është zënë nga klerikë të huaj), do të ishin një precedent e shembull i keq edhe për drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare. Kisha ortodokse, ku gjithashtu gëlojnë klerikët e huaj, do të ishte gati të hapte betejat e saj. Dhe nuk do t’i mungonin rastet. Kur udhëtari italian, Ciriaco d’Ancona, vizitoi Vlorën në vitin 1436, gjeti në qendër të saj një kishë me emrin e Shën Dhimitrit, e cila ishte kisha kryesore e qytetit. Pas pushtimit osman, kjo kishë mori emrin e Sulltan Muradit II dhe prandaj quhet edhe sot “Muradije”. Po të ndiqej arsyetimi i dom Artur Jakut, kisha ortodokse ka të gjithë të drejtën e Zotit që ta rivendikojë atë xhami e ta kthejë në një vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë. 

Sigurisht, dom Jaku do thoshte se ky rast nuk i intereson, ai shqetësohet vetëm për punët e katolicizmit. Por, gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta, sepse pasi u kthye nga kishë bizantine në xhami, ky objekt fetar u transformua për pak kohë edhe në një kishë katolike, me emrin e Shën Markut, patronit të Venecias. Kjo ndodhi më 1690, kur një flotë veneciane, me një sulm të beftë pushtoi Vlorën dhe e para punë që venecianët bënë, ishte kthimi i xhamisë Muradije, dikur kisha ortodokse e Shën Dhimitrit, në një kishë katolike. Sigurisht, ky lajm historik nuk do ta linte indiferent dom Jakun dhe druaj se me shpirtin luftarak që e karakterizon, do përgatiste “kryqëzatën” e radhës. Por historia nuk mbaron këtu, sepse ka të dhëna, se kisha e hershme e Shën Dhimitrit na qenkësh ngritur mbi themelet e një tempulli pagan! 

Dhe këtu na jepet e drejta edhe neve që nuk besojmë në Zot, ne paganëve (ateistëve), që të rivendikojmë të drejtat tona mbi atë tempull me histori të shtresëzuar pagane, kristianoortodokse, kristianokatolike e myslimane. E atëherë beteja për përvetësimin e tempull-kishëxhamisë në qendër të Vlorës do të ishte gjithëpërfshirëse. Sigurisht, nuk ka shans që shqiptarët e sfilitur nga hallet dhe varfëria t’u bashkohen betejave fetare, që nxisin klerikë të papërgjegjshëm, nga ata që kanë pushtuar mediat këto ditë. Në fund të fundit, ato çka A. Gjekmarkaj me një shprehje të gjetur i quan “mujshari të saladinëve e të kryqtarëve të ditëve tona”, janë të destinuara të jenë veç shfaqje banale, që luhen në një teatër të zbrazur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat