Inaugurimi i Trump, Basha në Lutjen Kombëtare Ndërfetare

Shqipëria

Inaugurimi i Trump, Basha në Lutjen Kombëtare Ndërfetare

Më: 22 janar 2017 Në ora: 16:13
Lulzim Basha t në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump dhe ceremonitë e tjera pasuese. Basha ka informuar mbështetësit dhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale, për ceremonitë që është duke ndjekur në SHBA. Kështu, lideri opozitar shqiptar ka qenë i pranishëm në Lutjen Kombëtare Ndërfetare në Katedralen e Uashingtonit, ku ka folur edhe për mediet amerikane.

“Nder dhe privilegj i rrallë të isha i ftuar në Lutjen Kombëtare Ndërfetare në Katedralen e Uashingtonit që përmbylli ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump. Tradita e këtij rituali madhështor daton nga inaugurimi i Presidentit të parë të SHBA George Uashington. Udhëheqës shpirtërorë të të gjitha feve lexuan pjesë nga Tora, Bibla, Kurani dhe shkrime të tjera të shenjta dhe u bashkuan në lutje për suksesin e Presidentit Trump dhe administratës së re, si dhe për paqe dhe prosperitet në Amerikë dhe në mbarë botën.

Pas ceremonisë pata rastin të jap përshtypjet e mia në medien amerikane mbi inaugurimin e Presidentit Trump, ceremoninë e Lutjes Kombëtare dhe traditën unike shqiptare të bashkëjetesës fetare. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan ai. Lideri i PD-së Basha ka pasur edhe një takim edhe me senatorin amerikan Jim Inhofe, me të cilin, siç thotë ai, ka folur për programin e Partisë Demokratike si dhe reformat e nevojshme kundër korrupsionit dhe monopoleve klienteliste që vrasin konkurrencën dhe iniciativën e lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat