Analiza e ekspertit - Nesho: Me Trump nuk do ketë shpërbërje të NATO-s, por reformim

Shqipëria

Analiza e ekspertit - Nesho: Me Trump nuk do ketë shpërbërje të NATO-s, por reformim

Më: 20 janar 2017 Në ora: 22:25
Agim Nesho

I ftuar në studion e Ora News, diplomati Agim Nesho, deklaroi se zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë pasqyroi nevojën e qytetarëve për një alternativë të re. Ai shtoi se NATO nuk rrezikon shpërbërjen, por me siguri do të ketë një reformim të saj. Sa i përket Shqipërisë, Nesho vlerësoi se marëdhënia mes popullit shqiptar dhe amerikan ësthë një lidhje tradicionale e cila do të vijojë edhe nën administratën Trump. Ndërkohë për Kosovën, eksperti theksoi se pret vazhdimin e mbështetjes, por paralajmëroi se Prishtina duhet të bëjë kujdes nga Serbia.

Sipas diplomatit, Agim Nesho, i cili ishte i ftuar në studion e Ora News, zgjedhja e Presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë u bë nga njerëzit e thjeshtë të cilët zgjodhën një alternativë të re në kushtet kur po humbisnin vazhdimisht vendet e punës.

Nesho: Njerëzit e thjeshtë që kanë humbur nga proçeset e globalizimit, njerëz të pakënaqur të shikuar nga shoqëria si të marxhinalizuar në frymën e një nacionalizmi të ri. Klasa punëtore ka zgjedhur një alternativë të re, alternativa është pikërisht ajo që përmendi Presidenti Trump, anti-stablishment.

I pyetur në lidhje me deklaratat e Trump mbi NATO-n, Nesho nënvizoi se nuk rrezikohet shpërbërja e Aleancës së Atlantikut të Veriut, por vetëm reformimi i saj.

Nesho: Nuk do të ketë shpërbërje si në rastin e diskutimit më të madh që është për aleancën e NATO-s, por do të ketë rinegociim mbi bazat e tjera, mbi bazat e barazisë.

Sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, Nesho tha se kjo është një lidhje tradicionale e cila do të vazhdojë edhe me administratën Trump.

Nesho: Miqësia mes dy popujve është një miqësi historike, është natyrale, asnjë njeri nuk mund ta prekë sepse kjo nuk ka lindur nga imponimi, por ka lindur nga lidhjet reciproke.

Në lidhje me Kosovën, Nesho deklaroi se mbështetje do të ketë, por paralajmëroi se Kosova duhet të tregojë kujdes nga Serbia.

Nesho: Kosova ka garanci por duhet të ruajë gjithmonë dhe të jetë e vëmendshme që sa më shpejt të realizojë proçesin e njohjes dhe  së dy dyti të mos bjerë pre e provokimeve.

Në mbyllje, Nesho gjykoi se bashkëpunimi mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë i mundur, por theksoi se kooperimi do të bazohet tek interesat respektive të të dyja vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat