Kthehet ekipi i ushtarakëve shqiptarë nga misioni në Mali

Shqipëria

Kthehet ekipi i ushtarakëve shqiptarë nga misioni në Mali

Më: 19 janar 2017 Në ora: 23:01
Pamje nga takimi

Ekipi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pjesë e misionit ushtarak të Bashkimit Evropian në Mali (EUTM Mali), përfundoi angazhimin në vendin afrikan.

Pas kthimit në atdhe, ushtarakët shqiptarë u pritën në një takim nga ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli.

Ministrja Kodheli u interesua për mbarëvajtjen e misionit në përgjithësi, por dhe për vështirësitë me të cilat ushtarakët shqiptarë hasën gjatë kryerjes së detyrës.

Ushtarakët e njohën ministren Kodheli me kontributin e tyre në trajnimin e ushtrisë maliane, si dhe bashkëpunimin me forcat e tjera të armatosura të vendeve të Bashkimi Evropian, që janë pjesë e këtij misioni.

Ministrja Kodheli çmoi kontributin e ushtarakëve në përmbushje të detyrimeve të vendit tonë që rrjedhin  nga të qenit anëtar i NATO-s, por edhe synimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.

Ajo gjithashtu i konsideroi ata dhe gjithë ushtarakët shqiptarë që janë pjesë e misioneve dhe angazhimeve ndërkombëtare, si përfaqësuesit më të mirë të vendit tonë në botë.

Misioni i ushtarakëve shqiptarë që marrin pjesë në EUTM Mali, është mbështetja dhe dhënia e kontributit në funksione të ndryshme për heqjen e pajisjeve shpërthyese, (Explosive Ordnance Disposal EOD).

Misioni ka rol trajnues dhe ushtarakët e FARSH janë pjesë e grupit EOD, në mbështetje të Kompanisë së Ruajtjes së Bazës në Koulikoro, në Republikën e Malit, në Afrikë.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijojnë angazhimin në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Republikën e Malit, (EUTM Mali), duke dërguar një tjetër ekip EOD në republikën perëndimore afrikane, ku marrin pjesë që prej nëntorit të vitit 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat