Burri i sportistes i revoltuar: E vrau para fëmijëve, ky vend ka marrë fund

Shqipëria

Burri i sportistes i revoltuar: E vrau para fëmijëve, ky vend ka marrë fund

Më: 18 janar 2017 Në ora: 08:43
Dhurata Doku (Priftin), nënë e dy fëmijëve,

Andrea Memollari, drejtuesi 20-vjeçar i automjetit që përplasi për vdekje Dhurata Dokun (Priftin), nënën e dy fëmijëve, në korrik të vitit 2016 në Tiranë, rrezikon të dënohet me 10 vite heqje lirie.

Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje gjykatës këtë masë dënimi për të riun e akuzuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

Sipas përfaqësuesit të akuzës, i pandehurit Memollari duhet të deklarohej i fajshëm, pasi rezulton se është autori i ngjarjes së rëndë të ndodhur më 13 korrik 2016 në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” me Unazën, i njohur si kryqëzimi i burgut, raporton “Panorama”.

Prokurori kërkoi dënim me një dekadë burg, por i pandehuri nuk do ta vuajë këtë masë, as nëse gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë. Në seancat e kaluara gjykata ka pranuar kërkesën e tij për gjykim me procedurë të shkurtuar, lloj gjykimi nga i cili i pandehuri përfiton uljen e një të tretës së dënimit.

Kërkesa e Prokurorisë u dëgjua dje në sallë nga avokati mbrojtës i Memollarit, pasi vetë i pandehur kishte zgjedhur të mos ishte prezent. Nga ana tjetër, interes për seancën kishin paraqitur familjarët e të ndjerës Doku.

Përmes një avokateje ata kërkuan të bëheshin palë në proces. Kërkesa e tyre nuk u pranua nga gjykata, si kërkesë e paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në ligj. Në përfundim të seancës, gjyqtari Gerd Hoxha i dha kohë avokatit deri më 24 janar për të paraqitur konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.

FAMILJARET

Të afërmit e të ndjerës Dhurata Doku-Prifti e konsideruan qesharak parashikimin ligjor të masës së dënimit. Arjan Prifti, bashkëshorti i viktimës së aksidentit të shkaktuar nga Memollari, tha se i pandehuri duhet të dënohej të paktën me maksimumin e dënimit, raporon “Panorama”.

“Për mua ai duhet të ishte minimumi 25-30 vjet në burg. Minimalisht me këtë ligj qesharak që është, ai duhet të merrte maksimumin. Nëse nuk merr maksimumin, atëherë ky vend ka marrë fund. Unë dua vetëm që drejtësia të vihet në këtë vend”, tha Prifti në një prononcim për median, jashtë sallës së gjyqit.

Duke iu referuar faktit se bashkëshortja e tij ishte bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur në momentin e aksidentit, Prifti i krahasoi rrethanat e aksidentit me ngjarjet e luftës në Siri.

“Unë jam një bashkëshort dhe një prind i plagosur nga ikja në një mënyrë tragjike, si me qenë fëmijët e mi në Siri. Edhe në Siri vriten kalamajtë para nënës së tyre. Kjo është një ngjarje e rëndë, nuk është si gjithë aksidentet e tjera. Po të pyesësh çdo shqiptar, çdo nënë, çdo prind, nëse do t’u ndodhte kjo në familjen e tyre, t’u vritej nëna para fëmijëve, çfarë do të thoshte babai i tyre?”, u shpreh bashkëshorti i së ndjerës.

AKSIDENTI

Aksidenti rrugor, që shkaktoi vdekjen e sportistes së qitjes, Dhurata Doku-Prifti, tronditi opinionin publik në korrik të vitit të kaluar, për shkak të dinamikës së tij. Gruaja 45-vjeçare ishte duke kaluar rrugën pranë vijave të bardha bashkë me dy fëmijët e saj, kur një automjet tip “Mercedes-Benz” u afrua drejt tyre me shpejtësi të madhe.

Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, ajo ka mundur të shtyjë fëmijët, por pa mundur të largohej vetë nga trajektorja e lëvizjes së mjetit.

Ngjarja ngjalli ndjeshmëri në publik, edhe për shkak se kamera e sigurisë së një biznesi regjistroi momentin ku e ndjera Prifti përplasej nga mjeti, i cili vijoi lëvizjen, duke kaluar mbi trupin e saj në asfalt. Sipas Prokurorisë, pas momentit të përplasjes, i dyshuari Memollari nuk ka frenuar, çka mund të kishte shmangur pasojën fatale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat