Hapen të gjitha rrugët, problem çarja e tubacioneve të ujit nga ngricat

Shqipëria

Hapen të gjitha rrugët, problem çarja e tubacioneve të ujit nga ngricat

Më: 15 janar 2017 Në ora: 11:23
Ilustrim

Në qytetin e Pukës situata e krijuar pas kushteve të përkeqësuara të motit po shkon drejt normalizimit, dhe aktualisht problem mbetet çarja e disa tubacioneve të Ujësjellësit si pasojë e ngricave. Punonjësit e UK-së kanë punuar përgjatë gjithë ditës së djeshme për rikthimin e normalitetit.

Sa i përket qarkullimit rrugor, dje është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor të fshatit Lajthizë. Në njësinë administrative Gjegjan, qarkullimi rrugor është i mundur në të gjithë fshatrat, përjashtuar fshatin Mesul, ku do të ndërhyet gjatë ditës së sotme. Në disa zona ku kishte trashësi bore u ndërhy me një mjet eskavator, ndërsa nuk ka më prezence akulli për të rrezikuar mjetet që qarkullojnë në rrugët e fshatrave të kësaj njësie administrative. Punonjësit e shërbimeve në këtë njësi administrative po punojnë në identifikimin e defekteve në ujësjëllësit e fshatrave, në të cilët do të ndërhyet për riparimet e nevojshme.

Në njësinë administrative Luf Qerret aktualisht ka probleme për furnizimin me ujë të qëndrës së Lufit si pasojë e ngrirjes dhe dëmtimit të rrjetit ujësjellës. Po merren masa për të ndërhyrë në normalizimin e plotë. Në njësinë administrative Qelëz, rrugët janë të hapura deri në qendër të fshatrave, përjashtur fshatin Qafë T’mugu. Aktualisht ujësjellësit janë në funksion, ka dëmtime të matësve të rrjetit ujësjellës.

Në njësinë administrative Rrapë ka përfunduar hapja e të gjitha rrugëve. Në fshatin Breg pati një emergjencë shëndetësore, për të cilën u ndërhy me autoambulancë, ku u bë i mundur transporti në Shërbimin Spitalor të Pukës. Nuk ka probleme në furnizimin me ujë.

Bashkia Pukë ka marrë në dispozicion përveç borëpastrueses së Emergjencave Civile dhe Fadromës së Ministrisë së Mbrojtjes edhe dy mjete të tjera të rënda (Fadromë dhe Eskavator) që do të përdoren nëse reshjet e pritshme të borës, përsërisin situatën e ditëve që lamë pas.

Në kuadër të hapjes së shkollave, janë marrë masa për sigurimin e ngrohjes në institucionet arsimore. Bashkia Pukë po mban të gjitha mjetet në dispozicion për çdo rast të domosdoshëm ndërhyrje nga ana jonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat