PD: Lirimi me kusht, jo drejtësi e plotë, presion Serbisë

Shqipëria

PD: Lirimi me kusht, jo drejtësi e plotë, presion Serbisë

Më: 12 janar 2017 Në ora: 16:38
Ilustrim

Partia Demokratike ka deklaruar se është e shqetësuar nga vendimi i sotëm i autoriteteve gjyqësore franceze që Ramush Haradinaj të mos kthehet në Kosovë.

 Përmes një reagimi, PD ka vlerësuar se, “vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo të kthehet në atdhe, nuk është drejtësi e plotë”. 

“Partia Demokratike shpreson dhe beson se organet e drejtësisë në Francë do të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund kësaj padrejtësie ndaj Ramush Haradinajt, i cili është çliruar plotësisht nga pretendimet për krime lufte me vendimet e Gjykatës së Hagës”, thuhet në reagimin e PD. 

Pak më vonë ka ardhur edhe një reagim nga vetë kryetari i forcës më të madhe të opozitës, i cili ka uruar që së shpejti të vendoset për lirimin e plotë të kreut të AAK-së.  

“Jam i gëzuar që drejtësia franceze ka marrë një vendim që lehtëson padrejtësinë ndaj Ramush Haradinajt. Uroj që drejtesia e plotë të bëhet sa më parë dhe Ramushi të lihet sa më shpejt i lirë për t’u kthyer në Kosovë”, ka thënë Basha.  Ai ka theksuar se, urdhër-arrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Haradinaj, por janë njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj politik.  

“Ka vetëm një garanci që kjo padrejtësi ndaj Kosovës të mos përsëritet më: të detyrohet Serbia të anullojë urdhër-arrestet për luftëtarët e Kosovës. Kjo është detyra kryesore e qeverisë tonë: trysnia ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera për të ushtruar trysni mbi Serbinë”, ka shtuar Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat