“Komisioni i Sigurisë”: Deputetët aktivë, “të fortë” dhe “të heshtur”

Shqipëria

“Komisioni i Sigurisë”: Deputetët aktivë, “të fortë” dhe “të heshtur”

Më: 10 janar 2017 Në ora: 20:17
Komisioni i Sigurisë

Për shkak se tema e “dekriminalizimit”, “trafikut”, “kanabis” etj, ka qenë temë dominuese në ligjërimin politik gjatë vitit të fundit, edhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare në parlament, ka pasur dhe ka rol e vëmendje specifike. Një pjesë e deputetëve të këtij Komisioni janë figura politike (dy ish ministra të brendshëm), një pjesë kanë karrierë të mëparshme policore e ushtarake, por nga ana tjetër, aty ka deputetë që kanë bërë headline me skandale publike e incidente, siç ka deputetë të përfolur në raporte ndërkombëtare e në media për të shkuar kriminale. Një deputet që ka dhënë dorëheqje, një që është në proces gjykimi dhe një tjetër i larguar së fundmi, ishin anëtar i këtij Komisioni. Ironia është se për një vend të NATO-s, Komisioni i Sigurisë do të duhej të ishte Komisioni më me besueshmëri tek partnerët ndërkombëtarë, – standard që dukshëm nuk është përmbushur.

Analiza monitoruese e Institutit të Studimeve Politike (ëëë.isp.com.al) jep detaje të dy elementëve të aktivitetit të këtij Komisioni gjatë periudhës shtator-dhjetor 2016. Së pari, mbi tematikën e punës, së dyti mbi pjesëmarrjen e deputetëve në komision dhe në debatet e brendshme. Gjatë kësaj periudhe parlamentare në Komision u paraqitën ministrat Tahiri dhe Kodheli, zv/ministrat përkatës të tyre, si dhe drejtues të tjerë të institucioneve të sigurisë. Temë kryesor e debateve në komision ishin çështjet e buxhetit në FA dhe Ministrinë e Brendshme, si dhe çështje të karakterit përmirësues të disa ligjeve dhe akteve të tjera që lidhen me sigurinë. Në Komision nuk ka pasur seancë të jashtëzakonshme dhe as organizime të brendshme për misione monitoruese në institucionet e sigurisë.

Sipas praktikës parlamentare, Komisioni i Sigurisë përbëhet nga 18 anëtarë të përhershëm dhe disa deputetë zëvendësues. Në asnjë nga mbledhjet e Komisionit gjatë periudhës shtator – dhjetor 2016 nuk kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit. Gjatë kësaj periudhe Komisioni ka zhvilluar vetëm 8 mbledhje të rregullta, në të cilat, përveç kryetarit Braho, ka marrë pjesë rregullisht vetëm deputeti Lutaj. Deputeti Rama figuron mospjesëmarrjes në asnjë mbledhje, ashtu si edhe deputeti Prenga (nën hetim gjyqësor), por numër minimal pjesëmarrjeje kanë edhe disa deputetë përfshirë edhe deputetin Selami, të larguar disa ditë më parë nga KQZ.

Në listën e deputetëve diskutues ka të dhëna interesante: dy deputetët opozitarë Noka e Dogjani, ashtu si Lutaj i PS, kanë nivel të njëjtë pjesëmarrje në debatet në Komision. Në total, ata kanë shumë më tepër diskutime sesa të gjithë deputetët e tjerë, anëtarë të Komisionit. Pjesë në debate janë edhe deputetët me karrierë në polici dhe organe të sigurisë, Ndreu, Çuko, Zeneli, Qefalia, – këta të fundit, me përqindje pjesëmarrje në debat rreth 20-25%. Pjesa më interesante është numri i madh i deputetëve që nuk kanë folur asnjëherë në Komisionin e Sigurisë. Lista është e gjatë, rreth 40% ose tetë deputetë, nga të cilët, dy nuk kanë qenë asnjëherë të pranishëm në mbledhje. Nga deputetët që kanë marrë pjesë në disa mbledhje Komisioni por nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në diskutimet e ligjeve dhe akteve të tjera, janë emra si Rakipi PDIU), Troplini (PS), Patozi (PD), Xhindi (PS), Shehu (LSI) e Selami (LSI). Në krahasimin e numrit të deputetëve që kanë folur dhe atyre që nuk kanë folur (por kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit), të dhënat tregojnë se pjesa e “të heshturve” është 3-4 herë më i madh sesa pjesa e atyre që flasin. Vetëm në një seancë, 22 nëntor, ka ndodhur që midis 12 pjesëmarrësve në mbledhje kanë folur 6 deputetë, siç ka raste, si seanca e fundit me 5 dhjetor, kur nga 15 deputetë të pranishëm, përveç kryetarit, kanë folur vetëm 4 deputetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat