MPJ: Reflektim serioz, me qetësi e maturi për zgjedhjet që do të bëjnë partitë shqiptare në Maqedoni

Shqipëria

MPJ: Reflektim serioz, me qetësi e maturi për zgjedhjet që do të bëjnë partitë shqiptare në Maqedoni

Më: 7 janar 2017 Në ora: 15:30
Ilustrim - Takimi i Ramës me liderët e partrive shqiptare në Maqedoni

Deklarata e përbashkët e forcave politike shqiptare në Maqedoni arritur sot në Shkup është përshëndetur edhe nga ministria e Punëve të Jashtme.

Në deklaratë për shtyp nga MPJ theksohet se Shqipëria ka ndjekur me vëmëndje të posaçme zhvillimet në Maqedoni duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, shkëmbyer mendime, ide e analiza për të qëndruar më pranë dhe kuptuar sa më mirë dinamikat e zhvillimeve.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit i ka vënë partitë shqiptare në një pozicion vendimtar për krijimin e shumicës së ardhshme dhe institucioneve që do të dalin prej tyre. Kjo kërkon një reflektim serioz dhe me sa më shumë qetësi e maturi për zgjedhjet që do të bëjnë. Kemi inkurajuar dhe do të vijojmë të inkurajojmë gjithnjë aktorët shqiptarë për të qenë të përgjegjshëm në mbështetje të zhvillimeve demokratike e progresiste në këtë vend”, thuhet në deklaratë.

Por sipas MPJ, mbetet në gjykimin dhe lirinë e tyre për vendimet që do të marrin, aleancat që do të lidhin apo alternativat që do të ndërtojnë. Ajo për të cilën kemi qenë gjithnjë të interesuar është të kuptuarit e rëndësisë së momentit nga aktorët shqiptarë në Maqedoni pasi rezultati zgjedhor e ka bërë të qartë se të dy komunitetet në Maqedoni u kanë kërkuar aktorëve politikë respektivë një kontratë të re për vendin.

“Maqedonia ka nevojë për një shumicë qeverisëse solide, të qëndrueshme e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza duke ndërmarrë një proces reformash që do të rinxisin procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Prandaj ne kemi kërkuar dhe punuar për një platformë gjithëp?rfshirëse të partive shqiptare në mënyrë që shumica e ardhshme të jetë e qëndrueshme dhe ti ofrojë vendit një program të ri, ambicioz që zhvillon e forcon më tej kohezionin social dhe karakterin shumëetnik e kulturor të Maqedonisë”, thekson MPJ.

Në përfundim, MPJ nënvizon se “hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat