Tri ngjarjet e vitit të pazakontë 2017

Shqipëria

Tri ngjarjet e vitit të pazakontë 2017

Më: 5 janar 2017 Në ora: 09:40
Kuvendi i Shqipërisë

Në 2017 do të ndryshohen tri pushtete; ekzekutivi, presidenca dhe drejtësia. Tre sfida që shumë rrallë bien në të njëjtin vit. Dilemat e 18 qershorit, sfida e zgjedhjes së presidentit të ri dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi me vettingun dhe institucionet e reja.

360 ditët e ardhshme të këtij viti nuk do të kalojnë edhe aq qetë në Shqipëri, pasi pritet që ngjarje të rëndësishme për 2017-ën siç janë zgjedhjet e qershorit dhe presidenti i ri do të mbajnë mbërthyer politikën, median dhe opinionin publik.

Dinamika do të jetë në 6 muajt e parë dhe ngjarjet kryesore të pritshme, nuk është se s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Madje kanë shumë.

Starti është me ligjin më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, atë të Vettingut, që pritet të bëjë pastrimin e sistemit të drejtësisë.

Procedurën e parë për zbatimin e tij e ka nisur Presidenti, i cili ka deklaruar tashmë të hapur garën për këdo që synon të kandidojë për komisionet e Vettingut, proces i cili do të mbikëqyret edhe nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit.

Nga rezultatet që do të japë zbatimi i tij, varet edhe vendimi i Brukselit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe samiti i liderëve të BE-së në mars është një datë e parë.

Dhe jo vetëm.

Në fillim të muajit dhjetor të këtij viti pritet që të zgjidhet edhe emri i ri i Prokurorit të Përgjithshëm. Adriatik Llalla nuk preket nga Reforma në Drejtësi, por rikandidimi i tij sigurisht që do të lidhet shumë me organet e reja që ka ngritur reforma për zgjedhjen e kreut të organit të akuzës.

Dekriminalizimi dhe presidenti

Efektet e dekriminalizimit që do të ndërpresin të tjera mandate të zyrtarëve të lartë në muajt në vijim, si edhe distancimi i partive nga personat e inkriminuar në prag të zgjedhjeve janë një tjetër ngjarje me peshë të madhe për këtë vit.

Organi i akuzës njoftoi në fund të vitit që lamë pas, se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i dorëzohet një dosje voluminoze me 20 emra zyrtarësh të lartë publikë, që sipas saj duhet t’u ndërpritet mandati.

Bëhet fjalë për emra deputetësh dhe kryetarë bashkish.

Pas këtij procesi, një tjetër debat pritet të ndezë politikën shqiptare; emri i Presidentit të ri të Republikës dhe kohën se kur duhet të zgjidhet ai.

“Kjo është një çështje tekniko-juridike. Por është e qartë që Presidenti normalisht do të zgjidhet nga ky parlament…”, tha Ilir Meta në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu.

Në anën tjetër, Rama nuk ka folur për kohën, por është fokusuar tek emri.

“Vendos parlamenti dhe presidentin e ri do ta vendosë Aleanca për Shqipërinë Europiane…”, -tha Rama, duke i mbyllur derën ambicies së Nishanit për një mandat të dytë.

Por, a është Ilir Meta kandidati potencial nga Aleanca për Shqipërinë Europiane?

“Unë jam i bindur që do të vazhdoj të jem dhe më 19 qershor Kryetar i LSI-së…sepse besoj se rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat pozitiv edhe unë do të kem të drejtën morale të vazhdoj ta drejtoj këtë forcë politike…”, -mohoi Meta zërat.

Ndërkohë në biseda joformale po flitet për Mimi Kodhelin si kandidate e mundshme.

Kjo e fundit nuk e ka mohuar por as pohuar një gjë të tillë, duke qartësuar se në rast fitoreje të mazhorancës ajo nuk do të jetë më ministre e Mbrojtjes.

Pas kësaj deklarate të beftë, i pari që ka dhënë mbështetjen për emrin e saj si Presidente ka qenë deputeti Alfred Peza.

Megjithatë, Ilir Meta votat e të cilit do të mundësonin zgjedhjen e Presidentit që në raundin e parë të votimit u shpreh se është tepër herët për të folur për këtë çështje.

“Në çdo rast Presidenti i vendit duhet të jetë një njeri me integritet dhe që të garantojë një komunikim sa më gjithëpërfshirës…”, – është shprehur ai.

Qeveria e re

Një tjetër pikëpyetje që mbetet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është nëse politika shqiptare do të marrë një drejtim tripolar ende pa u votuar.

“…Kjo do të vendoset nga LSI-ja, por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë. Ata do të vendosin rolin e gjithsecilit…”, -u shpreh Meta në fund të vitit që lamë pas, duke lënë gjithçka të hapur.

Ngjarja tjetër po aq e rëndësishme dhe ajo që do të vulosë zhvillimet e ardhshme politike dhe kursin qeverisës janë zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Partia Demokratike ka parashtruar që prej muajit maj të vitit të kaluar një paketë propozimesh që nuk kanë marrë mbështetjen e PS-së.

Oerd Bylykbashi që është edhe bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore i radhiti sërish ato në një konferencë për shtyp të pak ditëve më parë.

“Reforma zgjedhore është konsideruar nga Partia Demokratike që në fillimet e saj si një nga reformat më të rëndësishme, bashkë me Reformën në Drejtësi, madje siç po e kuptojnë të gjithë tani, ndoshta është edhe reforma më e rëndësishme…”.

Por në të njëjtën ditë, në një tjetër deklaratë bashkëkryetari socialist i komisionit Taulant Balla tha se mazhoranca do të marrë në shqyrtim vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“…PS dhe LSI kanë pranuar si dokument diskutimi rekomandimet e OSBE/ODIHR; dhe mandati që unë kam si bashkëkryetar i këtij komisioni, është diskutimi vetëm mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR. Unë nuk kam mandat të diskutoj mbi reformën e Partisë Demokratike. Ta mbajnë platformën dhe ta aplikojnë në PD…”.

Por mosgjetja e një dakordësie për reformën zgjedhore mund të fusë palët në zgjedhje me një qëndrim të paracaktuar.

Deri më tash, kreu i opozitës Lulzim Basha ka konfirmuar vetëm faktin se opozita do të futet në zgjedhje.

Se si do të rrjedhin ngjarjet më pas, a do t’i njohë PD-ja ato në rast humbjeje, kjo mbetet për t’u parë.

“…Nëse zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, por do të blihen sikurse u veprua në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015, zgjedhjet në Dibër dhe Ersekë, vendi do të futet në rrugën e destabilitetit politik dhe të përplasjes në sheshe dhe rrugë. Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar…”, – është shprehur nënkryetari i demokratëve, Edmond Spaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat