Dy rrugët e reja që pritet të jepen me koncesion në 2017-n

Shqipëria

Dy rrugët e reja që pritet të jepen me koncesion në 2017-n

Më: 1 janar 2017 Në ora: 11:20
Ilustrim

Teksa ministri i financave dhe kryeministri kanë deklaruar se vitin e ardhshëm do të ketë reth 1 miliardë USD investime, rreth 70% e tyre do të vijnë nga shpenzimet kapitale të planifikuara në buxhet dhe pjesa tjetër do të jenë koncesionet për dy rrugë të mëdha në jug e veri të Shqipërisë, që pritet të jenë të shtrira në 2-3 vjet, sipas burimeve nga Ministria e Financave.

Në buxhetin e shtetit janë të parashikuara rreth 650 milionë dollarë shpenzime kapitale, apo rreth 4.7% e prodhimit të brendshëm bruto (rreth 74 mln lek), sipas projektbuxhetit 2017, me një rritje prej 42% në raport me vitin e kaluar.

Përveç shpenzimeve kapitale, investimet në rrugën e Arbrit pritet të arrijnë 190 milionë dollarë. Pas tërheqjes pak muaj më parë të  ofertës së kompanisë kineze “China State Construcion” në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, kompania “Gjoka Construction” ka propozuar të përfundojë të gjithë pjesën e mbetur të rrugës së Arbrit, dhe jo vetëm 27 kilometra të saj, për një vlerë prej 190 milion dollarësh. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve është duke marrë në shqyrtim këtë ofertë, e cila me sa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e rrugës së Arbrit dhe punimet, sipas deklarimeve të ministrit të transporteve Sokol Dervishej pritet të fillojnë në mars të 2017-s.

Kompania Gjoka është duke ndërtuar tashmë dy lote të kësaj rruge nga ura e Vlashës deri në Bulqizë me një gjatësi prej 2 kilometrash dhe ka ndërtuar 4 më parë 4 kilometra të tjera të saj. Vetëm në vitet 2013-2015 qeveria aktuale ka investuar 6 miliard lekë, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milion euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge.

Ky projekt është iniciuar në vitin 2008, dhe parashikon një gjatësi prej 72 km, krahasuar me lidhjen e vjetër ekziztuese që është rreth 130 km, rreth 50 km më e shkurtër. Ka një gjëresi të planifikuar prej 10.5 m, një pjerrësi maksimale 6,99 %.

Projekti i dytë, sipas financave, është ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i të cilës është braktisur prej vitesh. Sipas burimeve nga financat ka oferta nga disa kompani për këtë segment, që janë në shqyrtim, dhe projekti nuk pritet të kushtojë më shumë se 150 milionë dollarë.  Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe qafën e Muzinës, duke bërë distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e të cilës ëhstë e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat