Ngjarjet politike/ Reforma në Drejtësi, përplasjet politike dhe konsensusi

Shqipëria

Ngjarjet politike/ Reforma në Drejtësi, përplasjet politike dhe konsensusi

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 15:38
Kuvendi i Shqipërisë, foto arkiv

Si rrallë ndonjëherë, një çështje e vetme mbizotëroi që nga fillimi deri në fund të vitit: Reforma në Drejtësi kushtëzoi debatin e brendshëm, ndërsa pesha e saj do të jetë përcaktuese për një marrëdhënie të re me Brukselin. Por ndërsa tema të tjera si dekriminalizimi, përhapja e marijuanës, apo dhe zhvillimet e përplasjet brenda forcave politike do të lënë gjurmët e tyre, një ngjarje që do të mbetet në histori do të jetë shenjtërimi i Nënë Terezës.

Reforma në Drejtësi

Në fillim të vitit palët kishin në tavolinë opinionin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias. Ekspertët e nivelit të lartë në Komisionin e posaçëm parlamentar ishin angazhuar për të rishikuar ndryshimet. Por opozita e kundërshtoi duke folur për një tekst të njëanshëm dhe hodhi idenë e një zgjidhjeje politike mbi çështjet e debatueshme. Kjo ide u mbështet nga Presidenti Bujar Nishani, por dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili më 5 Janar deklaroi: “Ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe jo në Republikën e ekspertëve”. Pak ditë më pas edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta do të këmbëngulë për të njejtën tezë: “Eshtë koha e çeljes së dialogut politik parlamentar”

Por socialistët kërkuan që puna të vazhdojë me ekspertët, të cilët më 11 Janar, deklaruan se kishin përfunduar rishikimin e ndryshimeve kushtetuese. Opozita këmbënguli në rrezikun e kapjes së sistemit nga qeveria. Më 15 Janar Komisioni i posaçëm votoi dërgimin në Venecia të tre drafteve, përfshirë variantin e PD por dhe një tjetër të LSI-së.

Opinioni përfundimtar i Venecias

Përpara se të shpreheshin përfundimisht, një grup ekspertësh të Komisionit të Venecias ishte në Tiranë në Janar. Opinioni u bë publik më 27 shkurt, ndërsa u miratua përfundimisht më 12 Mars. Komisioni vlerësoi pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, i cili sipas tij, ishte “gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane”. Ndërsa la në zgjedhjen e palëve në Shqipëri të problemit të debatueshëm 2/3 apo të 3/5, duke ofruar dhe formula alternative.

Për kryetarin e komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj, opinioni “qartësisht dhe pa asnjë ekuivok, ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciatovës kushtetuese për të reformuar sistemin e Drejtësisë”. E kënaqur dhe opozita sipas së cilës shqetësimet e saj “adresohen gjerësisht pothuajse në të gjithë paragrafet e draft-Opinionit të Komisionit të Venecias”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Palët do të debatojnë fort për mënyrën se si do të ecet më tej, ndërkohë që opozita renditi të paktën 10 pika të cilat sipas saj duhet të merreshin parasysh. Ideja e negociatave në nivel politik u rishfaq. Por për kryetarin e Komisionit Fatmir Xhafaj, duhet të ishin sërish ekspertët që të bënin rishikimin sipas Komisionit të Venecias.

Trysnia ndërkombëtare

Më 26 Janar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu do të saktësojë dhe një herë se “unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë se përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri, është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme në këtë proces? Qartazi është Reforma në Drejtësi”.

Edhe në vizitën e tij në Tiranë më 14 shkurt sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje: “Jam shumë i inkurajuar nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe ndaj korrupsionit”. Një temë e cila u trajtua dhe në takimet e kryeministrit Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë në Prill.

Në Tiranë ambasadori amerikan Donald Lu, do të njoftojë se “Qeveria e SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke u refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”.

Së bashku me homologen e tij të Bashkimit europian Romana Vlahutin ai u angazhua gjatë gjithë vitit në përpjekjen e vështirë për të afruar qëndrimet e palëve. Brukseli dhe Uashingtoni janë në sintoni për çështjen e Reformës. Në 3 Mars, në parlamentin shqiptar, Përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini duke vlerësuar reformën, ju referua dhe opinionit të Komisionit të Venecias duke bërë thirrje që “bazuar në të, miratojeni reformën”.

Por komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të harxhojë shumë energji në muajt që do pasojnë, ndërsa çështja e Reformës ndërthurret dhe me problemet e politikës së ditës. Në fillim të Majit ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS-it dhe OPDAT-it do të paraqesin tekstin e shkruar prej tyre mbi bazën edhe të propozimeve të palëve. Ambasadorët Lu e Vlahutin do të jenë në krah të tyre. “Do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë Reformë”, u shpreh ambasadori Lu duke ju drejtuar anëtarëve të Komisionit. Në të njejtën linjë dhe ambasadorja Vlahutin: “BE dhe SHBA-ja janë këtu sepse jemi të interesuar për Shqipërinë e nuk do të lejojmë që politika e ditës të cënojë të ardhmen e vendit”.

Pak ditë më pas, me një lëvizje të paprecedent, të dy ambasadorët do të organizojnë takime me grupet parlamentare shqiptare, ndërsa në Komisionin e Posaçëm u miratuan në parim ndryshimet kushtetuese.

Megjithatë, një javë më vonë, më 18 Maj, PD paraqiti një draft paralel” Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar që do të përbëjë dhe bazën e negociatave tona”, pohoi kryetari demokrat, Lulzim Basha. Por për shumicën kjo lëvizje është kthim në pikën ZERO. Dhe dy ditë më pas, propozimet do të rrëzohen në Komision.

Më 27 Maj, kryeministri Edi Rama ftoi sërish kreun e opozitës për një takim, i cili do të mbahet më 6 qershor. Opozita ofroi ndërkohë formulën e “Vendeve të Rezervuara” sipas së cilës emërimet nga parlamenti në institucionet e drejtësisë të kryhen sipas përfaqësimit të palëve në sallë. Kryeministri Rama nga ana e tij deklaroi se do të pranonte propozimin fillestar të opozitës, atë të formulës së 2/3-ve.

Sytë dhe vëmendja u përqëndruan në takimin e 6 Qershorit, ku ekspertët ndërkombëtarë kishin ofruar një formulë kompromisi. Por dhe ky takim nuk do të sjellë asnjë rezultat. “Pas këtij takimi Reforma do të niset drejt e për në sallën e Parlamentit”, tha në përfundim të bisedimeve kryeministri Rama. Por kreu i opozitës paralajmëroi, pak minuta më pas se “çdo akt i njëanshëm i dërgimit në parlament i një pakete të parakorduar me opozitën, do të takohet atje me dështimin e sigurt”.

Dy ditë më pas ambasada amerikane do të shprehet e zhgënjyer për dështimin duke theksuar se “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë” e duke mbështetur dërgimin në parlament të ndryshimeve. Sërish në sintoni me të dhe Bashkimi europian. Të dyja palët i bëjnë thirrje përgjegjësisë personale të deputetëve. Opozita reagoi duke deklaruar se varianti i vendeve të rezervuara ishte ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë

Më 10 Qershor do të zhvillohet dhe një takim mes zotit Meta dhe Basha. Edhe ky pa rezultat konkret. Ndërsa më 14 Qershor Komisioni i posaçëm miraton pa opozitën projektin e ndryshimeve kushtetuese. Ambasada amerikane do të përshëndesë miratimin, ndërsa reagimeve të mëpasshme të opozitës ambasadori Lu do t’i përgjigjet më 27 Qershor, duke deklaruar se “tri herë që prej 4 majit SHBA-t e BE-ja, kanë ofruar propozime të arsyeshme për kompromis . Shumica i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithnjë dicka për të refuzuar”. Ky i fundit reagon duke u shprehur se “propozimet kanë qenë e njejta prerje por me veshje të ndryshme”

Drejt votimit

Në seancën e 30 Qershorit parlamenti përfshiu në rendin e ditës miratimin e reformës me 21 korrik, ndërsa vazhdojnë përplasjet përmes variantesh të ndryshme që hidhen në diskutim

Më 10 Korrik në Tiranë mbërrin ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Pas takimeve mes palëve ajo njofton për “një propozim hybrid i cili përmban elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës, i cili është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”

Ndërsa e majta pranoi formulën e ofruar, demokratët, më 13 Korrik, kundërshtuan kompetencat që i njihen misionit ndërkombëtarë i cili do të angazhohet për vleresimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Jo kompetenca kushtetuese dhe as quasi kushtetuese”, u shpreh kryetari Basha. I menjëhershëm reagimi i kryeministrit Rama: “Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo ‘të huajt’ nëpër këmbë”.

Ambasada shprehet sërish e zhgënjyer dhe dy ditë më pas ambasadori Lu do të deklaronte: ”I thashë zotit Basha se propozimi I tij ishte i papranueshëm për Shtetet e Bashkauara dhe se tregon se ka thyer zotimin e tij të dielën ndaj ambasadores Nuland”. Ai i bëri thirrje udhëheqësve politik të mbyllen deri në gjetjen e një zgjidhje, përndryshe parlamenti të votonte në favor.

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i cili në të kundërt këmbënguli gjatë për nevojën e miratimit me konsensus bëri më 17 Korrik, një propozim të papritur: “Rruga më e mirë do të jetë ndërtimi I një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të Reformës e çon vendin në zgjedhje”.

Me ftesë të zotit Meta të nesërmen zhvillohet një takim tresh me kryeministrin Rama dhe zotin Basha. Pas takimit palët angazhuan përfaqësuesit e tyre të rinisnin bisedimet. Ambsadorët nuk morën pjesë “ përsa kohë në tryezë nuk ishte përfshirë propozimi i zonjës Nuland”, dhe një ditë më pas, më 19 Korrik, ambasadori Lu, bëri një paralajmërim të fortë: “Do të ketë pasoja specifike negative nga SHBA-të për ata udhëheqës politik që do të votojnë kundër kësaj Reforme”.

Një ditë para votimit, palët brohorasin për arritjen e një marrëveshjeje pas ndërmjetësimit të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn. Ngërci u rikthye sërish në mbrëmje ndërsa elementët e dakortësuar do të duhet të integroheshin në tekstin e ndryshimeve kushtetuese.

Seanca për votim nisi me tone të acaruara. Zoti Meta deklaroi se nëse opozita nuk e voton reformën “unë do të iki nga Kryetar i parlamentit. Do të votoj Reformën dhe do të iki, Pse do të iki? Sepse nuk mund të qëndroj në një parlament që voton nën presione, nën shtanzhe, me sms-ra, një Reformë që duhet ta votojë me bindje”. Më pas kryetari i parlamentit ftoi palët të vazhdonin bisedimet: “Duke filluar nga unë, ambasadori Lu të sqarojmë me zotin Basha dhe të gjithë aktorët e tjerë çështjen”.

Zgjidhja do të vijë në mbrëmje vonë kur në favor të reformës do të ngrihen të 140 kartonat e deputetëve. Duartrokitjeve që mbushën sallën i bashkohen nga llozha dhe ambasadorët Lu e Vlahutin të ngritur në këmbë për të përshëndetur rezultatin e shumëpritur.

Beteja e re për ligjet

Miratimi i reformës nuk mbylli hendekun mes palëve. Një betejë e re nisi për paketën e ligjeve që i hapnin rrugë zbatimit të Reformës. I pari në listë ishte ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Opozita paraqiti që në fillim të Gushtit një sërë vërejtjesh të cilat u morën në shqyrtim nga ekspertët e Euralius-it dhe OPDAT-it. Përgjigja e tyre erdhi me 17 Gusht. Ata vlerësuan t’i qëndronin tekstit të tyre duke i mëshuar faktit se “roli e misionit ndërkombëtar nuk mund të reduktohet” si dhe duke përcaktuar vijat e kuqe, tejkalimi i të cilave do të bënte të pamundur angazhimin financiar dhe teknik të BE-së.

Në mbledhjen e radhës më 23 GUSHT Komisioni miraton variantin e ekspertëve ndërkombëtarë. Opozita parlajmëron ankimim: “Ky projektligj që kaloi sot shumica në Komisionin ad hoc është antikushtetues. Ne jemi të sigurt se nuk do të mund t’i qëndrojë dot testit kushtetues përpara Gjykatës”, deklaroi zoti Bylykbashi.

Seanca e votimit do të jetë më 30 gusht. Opozita paraqet një dokument të plotë me vërejtjet e saj duke njoftuar se nuk do e votojë “këtë projektligj i cili ka ardhur pa konsensus, që dhunon kushtetutën dhe standartet më të mira euroatlantike. Ju faleminderit. Ne po largohemi”, tha deputeti Eduard Halimi.

Ligji kalon me 88 vota. Gjatë muajit shtator do të diskutohen dhe 6 ligjet e tjera. Opozita dha konsensusin vetëm për ngritjen e Prokurorisë speciale antikorrupsion, dhe Byrosë kombëtare të Hetimit, ndërsa më 5 Tetor ankimoi në Kushtetuese vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për kryeministrin Edi Rama ky veprim opozitës ishte “në aleancë të hapur me korrupsionin dhe me krimin e mafian që mban peng sistemin e Drejtësisë”.

Gjykata Kushtetuese do të vendosë më 25 Tetor, pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për një opinion. Në përgjigjen e cila mbërriti në Dhjetor theksohej se sipas Komisionit “dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare”. Vendimi i Kushtetueses u mor më 22 Dhjetor. Me 6 vota kundër dhe 2 pro, kërkesa e opozitës u rrëzua.

Në ndërkohë, po në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar edhe dy ligje të tjera, pjesë e paketës emergjente për zbatimin e Reformës, njëri i ankimuar nga dy shoqata e gjyqtarëve dhe një tjetër po nga Partia Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat