Dekriminalizimi, KQZ u heq mandatin Roshit, Tahirit dhe Selamit

Shqipëria

Dekriminalizimi, KQZ u heq mandatin Roshit, Tahirit dhe Selamit

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 14:08
Komisioni Qëndror i Zgjedhdjeve

Komisioni Qëndror i Zgjedhdjeve në mënyrë unanime ka vendosur heqjen e mandatit për kryebashkikun Elvis Rroshi, si dhe për deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot në mesditë për të vendosur lidhur me vazhdimin ose jo të mandatit për dy deputetët Shkëlqim Selami e Dashamir Tahiri, si dhe për kryetarin e bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm, po janë përfaqësuar me avokatët.

Kreu i KQZ-së Denar Biba është shprehur se prokuroria ka dërguar materialin me saktësime siç i është kërkuar për të vijuar mbledhjen, por avokati i Dashamir Tahirit, Fatmir Braka ka kundërshtuar duke thënë se prokuroria ka dërguar të njëjtin material.

“Materiali nuk është i ri. Pak kanë ndryshuar, janë thjesht disa saktësime siç i kërkuam. Komisioni ishte në dilemë nëse do ishim në pozitën e noterit apo gjykatë. Ne donim një proces të rregullt ligjor”, u shpreh kreu i KQZ-së.

“Prokurori ka dërguar të njëjtin material dhe sërish është gabim, ka ngatërruar datën e klientit tim. Në 2009 është dënuar në Ravena por këtu flitet për një vendim gjyqësor. Prokuroria se ka. Si ka hyrë kësaj gjëje. Informacioni është marrë në mënyrë narrative nga Europol, jo nga drejtësia. Informacioni është i gabuar. Ne jua vumë në dispozicion vendimin”, ka thënë avokati Braka.

Ndërkohë KQZ ndërpreu dy ditë më parë mbledhjen, duke mos marrë një vendim për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Me propozim të përfaqësuesve të shumicës, seanca e së martës u shty për më datën 29 dhjetor, duke i kërkuar prokurorisë disa informacione më specifike për rastet e tre zyrtarëve.

Sipas raportimeve, Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat