“Aleancë” LSI-PD në KQZ, shtyhet 48 orë vendimi për Selamin, Tahirin e Rroshin

Shqipëria

“Aleancë” LSI-PD në KQZ, shtyhet 48 orë vendimi për Selamin, Tahirin e Rroshin

Më: 28 dhjetor 2016 Në ora: 08:38
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur dje me 7 vota pro të shtyjë me 48 orë vendimmarrjen për heqjen e mandatit të deputetit të LSIsë, Shkëlqim Selami, deputetit të PDIU-së, Dashamir Tahiri, dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.

Ky vendim është marrë pas një seance që zgjati rreth 3 orë dhe ajo që ra në sy ishte diskutimi i përfaqësuesve të PS-së në KQZ, për ta orientuar mbledhjen drejt shtyrjes për një kohë më të gjatë se afati 10 ditor i përcaktuar në ligj.

Por ajo që i detyroi në një shtyrje minimale ishte “aleanca e fshehtë” mes të zgjedhurit të LSI-së dhe tre anëtarëve të mbështetur nga e djathta në KQZ. Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, Gëzim Veleshnja, është shprehur dje se komisioni duhej të administronte provat që depozituan avokatët e dy deputetëve dhe kryebashkiakut të Kavajës, por në asnjë rast nuk duhej të digjte afatin për të marrë vendim.

Sipas përfaqësuesit të LSI-së, KQZ-ja duhej të merrte vendim deri në datë 30 dhjetor, përndryshe çështja i kalonte Kuvendit dhe më pas Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesi i LSI-së tha dje se duhet të kërkohen nga Prokuroria të dhënat e thjeshta të vendimeve, si datat dhe numrat e vendimit dhe të kalonte në vendimmarrje për secilin rast.

“Unë mendoj që të marrim jo më shumë nga 48 orë kohë, sepse në datë 30 ne na mbaron afati dhe jemi në datën 27. Dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë vendime për këto tri raste, nuk duhet të lëmë që të na ikë afati. Ndërkohë që ne jemi të detyruar të verifikojmë të gjithë materialin ligjor që përfaqësuesit juridikë të personave që po verifikojmë na kanë sjellë me vulë apostile. Dhe t’i shkojmë ato në raport me vendimin e përfaqësuesve të akuzës. Unë them që t’i kërkojmë përfaqësuesit të akuzës ekstremitetet e vendimit t’ia kërkojmë, por jo më shumë se kaq. Vetëm ekstremitetet, jo vendimet, pra numër dhe datë, ta shtyjmë këtë mbledhje për 48 orë, jo më shumë”, tha Veleshnja.

Pas këtij komenti, nënkryetari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, si i zgjedhur i PD-së, është shprehur dakord me propozimin e kolegut të LSI-së. Çka në një rast votimi do të përmbyste numrat dhe balancat në KQZ. Nëse do të hidhej në votim, bashkimi i votave të anëtarit të LSI-së me tre anëtarët e mbështetur nga opozita, atëherë raporti do të kalonte 4 me 3 në favor të së djathtës dhe t’i hiqej mandati kryebashkiakut të Kavajës.

Kjo detyroi kryetarin Debar Biba të hedhë në votim vendimin për shtyrjen e mbledhjes me 48 orë dhe dërgimin e një shkrese urgjente për Prokurorinë për t’i dhënë informacion për datat e dënimeve.

“Deputetët dhe kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Kavajës janë individë të zgjedhur nga qytetarë, secili mund të ketë një mendim të caktuar për secilin prej tyre. Si qytetari për qytetarin, ata janë individë të votuar më shumicë absolute nga populli shqiptar dhe nuk po bëj populizëm. I ka zgjedhur populli, nëse dikujt s’i pëlqen ky popull, le të gjejë një popull tjetër. Ne këtë popull kemi, këta janë të zgjedhur nga qytetarët”, tha dje Biba.

AKUZAT E PROKURORISE

DASHAMIR TAHIRI

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Dashamir Tahiri rezulton të ketë fshehur në formularin e dekriminalizimit dy dënime. “Dashamir Tahiri, në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;

Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;

Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e ‘Dekriminalizimit’, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa lidhur me procedimin për ‘falsifikim parash’, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamerier lokali, i cili i ka dhënë para false”, thuhet në argumentet e Prokurorisë.

SHKËLQIM SELAMI

Deputet i LSI-së, Shkëlqim Selami, sipas Prokurorisë nuk ka deklaruar arrestimin me burg dhe hetimin ndaj tij për trafik të qenieve njerëzore. “Shtetasi Shkëlqim Selami, me funksion deputet, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e ‘Dekriminalizimit’ të dhëna për një masë sigurimi ‘arrest me burg’, nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me ‘Trafikim të qenieve njerëzore’.

Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

ELVIS RROSHI

Ndërsa kryebashkiaku i Kavajës nuk ka deklaruar se është dënuar për veprën penale të “Përdhunimit” në vitin 1995 dhe një sërë ndalimesh të tjera. “Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin ‘Për Dekriminalizimin’ si vijon: Një dënim për veprën penale të ‘Përdhunimit’ në grup, në vitin 1995, në Itali.

Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil. Në 14 maj 1993 është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil.

Në gusht 1997 është dëbuar sërish. Në vitin 2015, DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat