Bozdo: Po regjistrojmë të varfrit e të papunët

Shqipëria

Bozdo: Po regjistrojmë të varfrit e të papunët

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 10:51
Sekretari organizativ i PD-së, Eno Bozdo

Prej më shumë se dy muajsh, të gjithë drej tuesit lokalë demokratë, përfshi në fundjavë edhe deputetët e PD-së, kanë nisur procesin e evidentimit të të gjithë të goditurve nga paligjshmëria e qeverisë “Rama”.

Pas urdhrit të dhënë nga kreu Lulzim Basha me datën 25 tetor, strukturat e partisë kanë trokitur në çdo familje shqiptare të varfër dhe të papunë, duke hartuar listat konkrete. Sekretari organizativ i PD-së, Eno Bozdo konfirmon se procesi synon evidentimin dhe më pas listimin e të gjithë individëve dhe familjeve që nuk sigurojnë bukën e gojës.

Sekretari organizativ u shpreh se: “Kemi ndërmarrë një proces verifikimi, evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në vështirësi ekonomike, të njerëzve të goditur nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet, siç është dermatoza nodulare, nga prishjet e paligjshme të objekteve etj”. Z. Bozdo shprehet se ky proces do të vijojë deri në evidentimin e çdo të dëmtuari nga keqqeverisja e majtë. “Po punohet prej kohësh, dhe është trokitur në çdo familje qoftë të majtë apo të djathtë, por që nuk arrijnë të sigurojnë jetesën e tyre. Nuk kemi bërë asnjë përjashtim nisur nga bindjet politike, por synojmë që përmes këtij evidentimi, me programin e ri të PD-së të përmirësojmë jetesën e tyre, që është në kufijtë e rrënimit të plotë. Janë hartuar lista dhe ato po pasurohen çdo ditë e më shumë, pasi familjet e varfra gjenden në çdo zonë të vendit, si në Tiranë, ashtu edhe në zonat më të thella të vendit”, – deklaroi z. Enno Bozdo.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi para dy muajsh një takim me drejtues të kësaj partie në rrethe. Gjatë takimit, Basha i kërkoi atyre të evidentojnë të papunët, të varfrit dhe të goditurit nga përmbytjet, të cilët janë prekur nga paligjshmëria e qeverisë. Ai u kërkoi atyre që së bashku të bëhen shpresa për ndryshimin e shqiptarëve, dhe nënvizoi edhe një herë hapjen e PD-së për interesat e çdo shqiptari. “Braktisjes totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport të pastër me të vërtetën e qytetarëve. E kemi bërë këto tri vite; mund, duhet dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë. Të vërtetën e qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore- psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti realist që ka në themel nevojat e njerëzve”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat