Veliaj pritje me mësuesit: Ndërtojmë 20 shkolla të reja në 2017-n

Shqipëria

Veliaj pritje me mësuesit: Ndërtojmë 20 shkolla të reja në 2017-n

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 00:03
Veliaj

Për vitin 2017, Bashkia e Tiranës do të fillojë projektin për ndërtimin e 20 shkollave të reja.

I pranishëm në pritjet e organizuara me rastin e festave të fundvitit me mësuesit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe të shkollës 9-vjeçare, “Fan Noli”, Kryetari i Bashkisë theksoi se investimet do të rrisin cilësinë në të gjitha shkollat e tjera të kryeqytetit.

“Mezi pres në fakt që të fillojmë me projektin tonë të 20 shkollave të cilat do të ndërtohen në vitin 2017. Lajm i mirë për ju sepse ulet pak stresi dhe presioni që të gjithë duan të shkojnë në një shkollë. Qëllimi ynë është që të mos kemi vetëm një ose dy shkolla që janë si ishuj ekselence, por të krijojmë kushte që në të gjitha shkollat e Tiranës, ne të shkëlqejmë si qytet dhe fëmijët që na besohen çdo ditë në shkolla, në kopshte, në çerdhet tona, ne të bëjmë më të mirën që ata t’ia dalin në jetë dhe t’ia dalin me sukses”, tha ai.

Veliaj theksoi se situata më emergjente për infrastrukturën ka kaluar, ku fokusi vitin e parë ka qenë kryesisht në ndërtimin e kopshteve dhe të çerdheve.

“Vitin i parë ka qenë emergjencë. Fokusin më të madh e kemi pasur tek çerdhet, tek kopshtet duke qenë se aty janë edhe më të ndjeshëm, më të pambrojtur, me më shumë nevojë për kujdes dhe gjendje më katastrofale. Fëmijët janë gjëja më e çmuar e këtij qyteti. Ndaj dhe ne u morëm pikërisht me ata që s’votojnë, për të treguar që duhet të punojmë për gjeneratën tjetër sesa për zgjedhjet e ardhshme. Ndaj dhe unë besoj që secili e ka këtë mision, të fillojmë të punojmë për gjeneratën tjetër”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë i cilësoi tepër pozitive rezultatet e arritura nga shkollat e kryeqytetit në testimin që u bë nga Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA).

“Jam ndjerë shumë i inkurajuar nga rezultatet e fundit të PISA që bënë për nxënësit e gjimnazeve. ‘Petro Nini’ ka qenë gjithashtu një nga shkollat ku nxënësit janë testuar. Është një kompliment kur nxënësit kanë dalë me rezultate kaq të mira. Për Shqipërinë nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të kishte kapërcyer 21 vende vetëm në 1 vit. Do të thotë që po punohet me zemër, do të thotë që njerëzit po investojnë fort, do të thotë që ka shpresë për Tiranën sepse një rezultat i mirë i një gjimnazisti sot, do të thotë një e ardhme shumë më e mirë për qytetin nesër”, tha ai. Ndërkohë, në pritjen e organizuar me mësuesit e shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku e pranishme ishte dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Veliaj shprehu besimin se falë punës së Bashkisë, Tirana do të jetë një qytet edhe më i mirë për të jetuar.

“Kur vjen puna për menaxhimin e qytetit, ka vetëm një parti: një parti për pastërtinë, rregullin, bashkëjetesën, njerëzillëkun, solidaritetin që kemi mes njëri-tjetrit. Ndaj dhe besoj se përtej çdo ndasie, kur vjen puna tek qyteti, kush është qytetar mendon njësoj, do të shohë që gjërat ecin përpara dhe ky të jetë një vend dhe qytet shumë më dinjitoz, se ai që gjetëm kur erdhëm fillimisht këtu”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat