Koncerti artistik më 2 janar në Tiranë, ambasada austriake jep detaje

Shqipëria

Koncerti artistik më 2 janar në Tiranë, ambasada austriake jep detaje

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 17:13
Në datën 2 Janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena

Ambasada e Austrisë në Tiranë ka dhënë detaje lidhur me koncertin e 2 janarit, që pritet të mbahet në kryeqytetin shqiptar. Kjo ambasadë sqaron se në datën 2 janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të „Ansamblit Filarmonik të Vjenës“, anëtarë dhe ishanëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

Njoftimi i plotë i Ambasadës së Austrisë:

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar miq të muzikës klasike, pas paqartësive të shfaqura ditët e fundit në lidhje me „Ansamblin Filarmonik të “Vjenës“ dhe „Filarmoninë e Vjenës“, dëshirojmë të bëjmë disa sqarime mbi koncertin e datës 2 Janar në Tiranë.

Në datën 2 Janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të „Ansamblit Filarmonik të Vjenës“, anëtarë dhe ishanëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë. „Ansambli Filarmonik i Vjenës“ është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës. Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me "AGE Art".

Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë. Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e pallatit të kongreseve si dhe online.

Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorave. Gjithashtu ndër të tjerash një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës. Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej e kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin Tuaj. Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri.

Gjithashtu koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin Shqiptar. Dëshirojmë t’ju urojmë një fillim viti të mbarë dhe t‘ju përcjellim të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarëve urimet më të mira në këto ditë festash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat