Aksioni - Bashkia e Tiranës nis pyllëzimin e Liqenit të Farkës

Shqipëria

Aksioni - Bashkia e Tiranës nis pyllëzimin e Liqenit të Farkës

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 13:04
Aksioni

Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për pyllëzimin e territorit rreth liqenit të Farkës. Ditën e sotme janë mbjellë 450 pemët e para, ndërkohë do të punohet për pyllëzimin e gjithë hapësirës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se mbjellja e pemëve në këtë park do të rrisë, së pari cilësinë e ajrit, por edhe do t’i japë liqenit të Farkës një dimension të ri.

Veliaj: Së pari, shtojmë gjelbërimin, i cili plotëson një investim të pedonales së Farkës. Pedonalja ka të njëjtat kushte në shërbim dhe pastërti, si te Liqeni i Tiranës, ndaj për banorët e Njësisë 1 dhe 2 vlen një ftesë që ata të shëtisin, së bashku me fëmijët, në Liqenin e Farkës, si një mundësi për të kaluar kohën e lirë apo për t’u marrë me sport e aktivitete të tjera. Kësisoj dyfishojmë hapësirat e argëtimit në kryeqytet, duke qenë se Tirana e sotme me 1 milion banorë ka një dyndje të jashtëzakonshme në Liqenin Artificial, edhe falë investimeve dhe punës që kemi bërë aty. Ndaj, ka lindur nevoja që t’i shtojmë hapësirat dhe besoj se Liqeni i Farkës, do të jetë hapësira e dytë më e rëndësishme për sport, për shëtitje dhe ajër të pastër.

Ai theksoi se mbjellja e pemëve në këtë zonë i shërben objektivit madhor që Bashkia e Tiranës i ka vënë vetes për të krijuar atë që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si “Pylli Orbital”.

Veliaj: Nuk besoj se ka dhuratë më të mirë për festat e fundvitit për qytetin e Tiranës, se sa ajri i pastër, gjelbërimi dhe hapësira të lira publike. Fillojmë sot në Farkë operacionin më të madh të gjelbërimit të qytetit, ajo që më vonë do të quhet si ‘Pylli Orbital’. Kemi ambicien që në 15 vitet e ardhshme të mbjellim 2 milionë pemë. Sot fillojmë me mbjelljen e 450 pemëve të para në liqenin e Farkës

Kryebashkiaku i Tiranës njoftoi nismën për t’i krijuar mundësinë çdo qytetari që të kontribuojë në krijimin e Pyllit Orbital, duke mbjellë secili pemën e vet në hapësirat që do të përcaktohen nga bashkia.

Parku i Liqenit të Farkës do të jetë hapësira e dytë më tërheqëse për qytetarët e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat