Vendimi, si do ndalohen makinat para vitit 2005 që po ndotin ambientin

Shqipëria

Vendimi, si do ndalohen makinat para vitit 2005 që po ndotin ambientin

Më: 19 dhjetor 2016 Në ora: 00:10
Ilustrim

Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Transportit së shpejti do t’i dërgojnë për miratim qeverisë ligjin për plotësimin e standardit “euro” për të gjitha makinat që janë në qarkullim dhe ato që importohen.

Detajet e projektvendimit i dha ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në emisionin “Natë me Xhaxhiun” të “News 24”. Ministri pohoi se nisma ka si qëllim pastrimin e ajrit që shkaktohet nga ndotja e makinave , duke ndërhyrë në mjetet e vjetra që janë në qarkullim dhe ato që do të importohen. Kreu i Ministrisë së Mjedisit konfirmoi se nisma parashikon që të gjitha makinat që qarkullojnë në vend duhet të plotësojnë standardin euro 3, ose euro 4. Kusht për lejimin e makinave të vjetra në qarkullim do të jetë instalimi i katalizatorëve që mjeti të përshtatet me standardin euro që kërkohet. Për makinat e importit, nisma parashikon lejimin e tyre për dy kategori. Gazeta sjell të plotë ndarjen e makinave, sipas standardit euro, ku kriteri kryesor për ndarjen e autoveturave është viti i prodhimit.

NISMA

Nisma e dy ministrive parashikon marrjen e masave për makinat që qarkullojnë në vend të prodhuara para 2005­ s, me efekt uljen e nivelit të ndotjes së ajrit që vjen prej tyre. “Aktualisht, ne jemi duke punuar me propozimin e nismës që kemi nisur për ta çuar pranë Qeverisë shqiptare dhe më pas në Parlament.

Makinat aktuale parashikojmë të kapin standardin euro 3, ose euro 4 (ende nuk është konkluduar), dhe do të detyrohen që makinat e reja, të cilat do të hyjnë në Shqipëri si import, të jenë në standardin euro 5 të reja dhe euro 4 të përdorurat”, shpjegoi Koka.

 Sipas ministrit të Mjedisit, për makinat që bëjnë pjesë në kategoritë euro 1 deri në euro 3, marrja e masave do të jetë përshkallëzuese. Ministri shpjegoi se nisma parashikon që makinat e këtyre kategorive të mos dalin nga qarkullimi nëse qytetarët do të instalojnë katalizatorët që ndikojnë në uljen e nivelit të ndotjes.

Ministri i Mjedisit tha se afatet që do t’u lihen në dispozicion qytetarëve për të plotësuar kushtet që autovetura e tyre të mos dalë nga qarkullimi janë ende në diskutim. “Ne si Ministri Mjedisi nuk jemi të mendimit që një ditë të bukur gjithë këto makina nga sot të dalin jashtë përdorimi, apo të detyrojmë të instalojnë po sot katalizatorë, por do t’u lëmë qytetarëve kohën e duhur të përshtatin makinat e tyre në standardin e kërkuar.

E rëndësishme është që ne do të konsultohemi dhe prioriteti ynë është të godasim sa më pak ekonominë e çdo qytetari apo poseduesi të një makine të vjetër ndotëse të ajrit. Por tek importi i automjeteve të reja do të kërkojmë të jemi me standard europian”, u shpreh Koka.

SHEMBULLI

Njëra skemë që gradualisht do të zbatojë qeveria është nxjerrja nga qarkullimi e makinave të standardit euro 3 apo euro 4. Nëse makinat do të lejohen të kapin standardin euro 4, ku përfshin makinat e prodhuara nga 1 janari 2005 deri më 31 dhjetor 2009, makinat e tjera të prodhuara para këtij viti duhet të marrin masa me efekt uljen e nivelit të gazave ndotës që çlirojnë.

Konkretisht, nëse një qytetar disponon një makinë, qoftë me benzine apo me naftë, e prodhuar në vitin 2003, e cila kategorizohet në standardin euro 3, duhet me patjetër të instalojë katalizatorët, në mënyrë që makina e tij të përshtatet me standardin euro 4 që kërkohet. Në rast të kundërt, makina e tij nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave gjatë kolaudimit dhe makina e tij nuk do të lejohet të qarkullojë. Ministria e Mjedisit edhe ajo e Transportit është ende duke diskutuar afatet se sa kohë do t’i lihet një qytetari të përshtatë makinën nëpërmjet instalimit të katalizatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat