Lirimi i Lul Berishës, Basha kërkon shkarkimin e Vangjush Dakos

Shqipëria

Lirimi i Lul Berishës, Basha kërkon shkarkimin e Vangjush Dakos

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 12:04
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar sot nga Durrësi shkarkimin e menjëhershëm të kryebashkiakut Vangjush Dako.

Reagimi i Bashës vjen pas garancisë që ka dhënë Dako për punësimin e ish-kreut të bandës kriminale të Durrësit, Lul Berishës, garanci që ndihmoi në lirimin e tij nga burgu para kohe.

Kërkesa e kreut të opozitës u bë për një dalje për mediat nga selia blu, pas mbledhjes urgjente që Basha pati me krerët e strukturave të PD-së në Durrës.

“Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe për këtë arsye këshilltarët dhe deputetët demokratë të Bashkisë së Durrësit kanë vendosur ti kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Dakos në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, tha Basha.

“Kur krimi bashkohet me politikën vriten liria, shpresa dhe fatet e njerëzve. Shoqëritë ku politikën e dominon krimi janë shoqëri që vdesin, vuajnë, mbeten injorantë dhe e kërkojnë zgjidhjen vetëm në emigrim. Sikurse e kanë treguar qartë, rastet e Lul Berishë, Klement Balilit, Elvis Roshit, Armando Prengës, Artur Bushit, Tërmet Peçit, etj, njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbahet në këmbë qeverisja e Edi Ramës. Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm dhe tashmë është vegël dhe peng i disa prej kriminelëve dhe interesave më të fuqishme kriminale. Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politik, tani ata po e përdorin Edi Ramën për të fuqizuar pushtetin e krimit”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat