Policia i mbylli gojën, gjykata e nxorri në rrugë! Historia e gruas së dhunuar nga babai i dy fëmijëve të saj

Shqipëria

Policia i mbylli gojën, gjykata e nxorri në rrugë! Historia e gruas së dhunuar nga babai i dy fëmijëve të saj

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 20:31
Ilustrim

Emri i saj është Lumturi, por historia e saj nuk është aspak e tillë. Për 15 vjet me radhe nëna e dy fëmijëve është dhunuar nga bashkëshorti, dhunë e cila arrinte deri në ekstreme. Edhe pse ishte një martesë e detyruar, Lumturia kurrë nuk e kishte imagjinuar atë që e priste.

“E fundit fare ishte kur më përplasi nëpër shkallë dhe nuk e durova dot më. Kam ndejtur dy javë në krevat shtrirë. Pastaj i vura vulën. Po dhe fëmijët i ka dhunuar. Nuk bënte vaki ti merrte njëherë për dore e të dilte si prind që ishte. U hiqte pjatën fëmijës përpara. Nuk kam parë asnjë të mirë për 15 vjet që kam qenë me bashkëshortin tim”, rrëfen ajo.

Vajza 18 vjeçe dhe djali 13 vjeç kane sot pasojat e traumës se shkaktuar nga dhunan që babai ushtronte ndaj nënës së tyre. 

“Në asnjë vend nuk kam gjetur mbështetje. Familja ime, vëllai kishte ikur kishte kalamajtë e vet, nuk kishte mundësi të më mbështeste mua”, rrëfen më pas.

Por edhe më i ashpër do të ishte reagimi i institucioneve të cilat e neglizhonin këtë rast, edhe pse gruaja paraqitej me shenja të dukshme dhune.

“Kushedi sa herë kam denoncuar. Thoshte hë moj se ti je e keqe. E kapte miqësinë se kryeplakun e kishte xhaxha dhëndrri i tyre. Gjithmonë më sulmonte mua policia, më thoshte ti je e keqe, mbylle gojën e ik në shtëpi”, thotë ajo. 

Po ashtu, i ashpër ishte edhe vendimi i gjykatës, që nënën me dy fëmijë e nxorri në rrugë dhe nga shtëpia ku punoi 15 vjet nuk mori asgjë.

“Edhe rrobat e trupit nuk mi dha, se nuk më la të merrja sikur një bluzë. Me kokfortësi kam kaluar matanë te krevati im se nuk më linte. 15 vjet të vuash në atë shtëpi dhe të mos marrësh një lugë të ushqesh fëmijët. Të tjerët kanë marë shtëpi e unë asgjë”, thotë ajo.

Sot Lumturia është e qetë sepse nuk i duhet të përballet me dhunën dhe frikën. Por gjendet përballë një gjendje të vështirë ekonomike. Ajo jeton vetëm me kempin e vajzës së saj, ndërkohë që edhe djalin e ka të sëmurë. 

“Vetëm me një kemp të gocës dhe gjë tjetër nuk kam. Me një kemp laj qeranë drita, ushqej kalamajtë. Me borxhe, marr te shoqet dhe ushqej kalamajtë. Goca ka problem te gallgania, çuni ka zhvillim të trurit shumë të avashtë. Unë kërkoj vetëm të kem një strehim, asgjë tjetër”, vijon Lumturia.

Por Lumturia është e fortë. Ajo thotë se me çdo kusht do t’i mbrojë fëmijët e saj, ndërsa kërkon vetëm pak ndihmë për një strehë më të mirë ku të mos vuajnë nga i ftohti dhe lagështia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat