Ndryshimet/ Harta e re elektorale, loja me numrin e deputetëve

Shqipëria

Ndryshimet/ Harta e re elektorale, loja me numrin e deputetëve

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 08:23
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Qarku i Tiranës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017 do të ketë 34 mandate deputetësh, dy më shumë se në zgjedhjet e vitit 2013. Ndërkohë që dy qarqe të tjera, si ai i Kukësit dhe Korçës, do të humbin nga një mandat deputeti.

Një mandat do të hiqet nga qarku i Beratit, i cili nga 8 mandate që ka sot, pritet të bëhet me 7 deputetë. Ky fakt pritet të diskutohet sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të caktojë rishpërndarjen e re të mandateve në 12 qarqe, raporton “Panorama”.

Burime pranë opozitës bënë të ditur se kërkesa e KQZ-së për rishpërndarën e mandateve po shqyrtohet me seriozitet dhe për të bërë verifikimet e nevojshme, do të kërkohet më shumë kohë në dispozicion.

Projektvendimi për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve në zgjedhjet e 2017- s, për t’u miratuar kërkon minimumi 5 vota të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çka nënkupton që vendimi mund të merret vetëm me konsensus politik.

PROPOZIMI

Sipas projektvendimit të përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, qarku i Tiranës ka pësuar një rritje më të lartë të popullsisë, shkak për këtë është bërë edhe ndarja e re administrativo-territoriale. Në zgjedhjet e 2013-s, kryeqyteti nxirrte 32 deputetë, por në propozimin e ri, Tirana pritet të përfaqësohet në Parlament me 2 ligjvënës më shumë. Sipas të dhënave të Regjistrit të Gjendjes Civile, deri në muajin shtator të këtij viti në Tiranë figurojnë si banorë 1.083.236 persona.

Në zgjedhjet e vitit 2013, në kryeqytet figuronin në lista zgjedhore 785,086 shtetas me të drejtë vote, nga të cilët ditën e votimit vetëm 457,668 e ushtruan këtë të drejtë. Po sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e 2013-s, koalicioni i majtë mori 251,921 vota, ndërsa koalicioni i djathtë mori 184,188. Ndërsa 15,862 vota u ndanë nga partitë jashtë koalicionit, 10062 për FRD dhe 4801 për AK.

Tjetër qark që pritet t’i shtohen mandatet është Durrësi. Në këtë qark ka pasur një shtim të popullsisë, por dhe sipas të dhënave të muajit shtator rezulton se janë regjistruar rreth 438.202 shtetas. Sipas të dhënave të 2013-s, në qarkun e Durrësit rezultojnë 313,353 shtetas me të drejtë vote, nga të cilët vetëm 157,084 shtetas morën pjesë në votim.

Sipas përllogaritjes së KQZ-së një deputet në qarkun e Durrësit zgjidhet me rreth 31 mijë vota. Ndërkohë që nga shtimi i numrit të banorëve, rreth 27 mijë të tjerë mbeten të papërfaqësuar dhe për rrjedhojë kërkohet shtimi i një mandati në këtë qark.

HEQJA E MANDATEVE

Qarku i Kukësit pritet të humbë një mandat deputeti në zgjedhjet e 2017-s. Sipas të dhënave të vitit 2016, në qarkun e Kukësit rezultojnë 108.949 banorë, të cilët sipas formulës së ndarjes së mandateve mund të zgjedhin vetëm 3 deputetë.

Në zgjedhjet e 2013-s qytetarët e Kukësit mund të përfaqësoheshin në Parlament me 4 mandate deputetësh. Në zgjedhjet e fundit, në këtë qark figuronin 77,072 shtetas me të drejtë vote, por në zgjedhje morën pjesë vetëm 47,440. Votat në këtë qark kaluan në favor të koalicionit të PD-së, që mori mbështetjen e 27,770 votuesve.

Ndërsa koalicioni i majtë mori vetëm 18,502. Tjetër qark që pritet të humbë një deputet në Kuvendin e Shqipërisë është Korça. Edhe në këtë qark, sipas të dhënave të numrit të popullsisë, deri në muajin shtator rezultojnë 351.642 shtetas, të cilët mund të zgjedhin 11 deputetë.

Në zgjedhjet e 2013-s në këtë qark rezultonin 273,287 shtetas me të drejtë votë, nga të cilët ditën e votimit morën pjesë vetëm 148,337 qytetarë. Në këtë qark koalicioni i majtë ka fituar 88,136 vota, kurse koalicioni i djathtë vetëm 56,225 vota.

Qarqet e tjera, si Elbasani, Lezha, Dibra, Fieri, Gjirokastra, Vlora dhe Shkodra pritet të mos pësojnë ndryshime të mandateve.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat