Stadiumi i ri, Veliaj: Rigjallërim, 300 persona të punësuar për 2 vite

Shqipëria

Stadiumi i ri, Veliaj: Rigjallërim, 300 persona të punësuar për 2 vite

Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 13:52
Erion Veliaj inspekton punimet në stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet

Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet po vijon me ritme të shpejta. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që në fund të 18 muajve do t’i japin kryeqytetit stadiumin e ri, i cili do t’i shërbejë jo vetëm skuadrës sonë Kombëtare, por edhe si qendër multifunksionale për qytetarët, shërbime dhe argëtim gjatë gjithë ditëve të javës. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ndërtimi i stadiumit, jo vetëm do të rigjallërojë jetën e kryeqytetit, por do të garantojë edhe 4 sheshe të reja dhe 300 vende parkimi.

“Jam shumë entuziast sot që jemi në kantierin më të bukur në Tiranë. Tirana vërtet ka 100 kantiere, por ky ndoshta është më i bukuri për disa arsye: Së pari, sepse është në mes të qytetit për të rigjallëruar qytetin. Kemi bërë disa projekte, kemi ndërhyrë te liqeni, te sheshi “Nënë Tereza”, por besoj që në fund të 18 muajve, kur stadiumi të ketë mbaruar, do të kemi jo vetëm një stadium spektakolar, por një hapësirë publike me 4 sheshe, mbi 300 vende parkimi dhe sigurisht, standardet më të larta që kërkohen sot në lojën e bukur të futbollit”, tha Veliaj. Kryebashkiaku vlerësoi se investime të tilla kanë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e vlerës së pronës për qytetarët, ndërkohë që theksoi se kantieri ku po punohet për stadiumin e ri ka krijuar edhe vende të reja pune.

“Stadiumi është një ndër punëdhënësit kryesorë në qytetin e Tiranës. Për të gjithë ata që kanë qenë të shqetësuar ndër vite, për ata që rrinë tek Ushtari i Panjohur, sot shumë prej tyre kanë një vend pune. Janë mbi 300 qytetarë që kanë një punë për dy vitet e ardhshme dhe besoj se të gjitha këto investime përkthehen në shtimin e punësimit të qytetit”, theksoi ai. Veliaj  u shpreh se investimi për ndërtimin e stadiumit ka ndikuar pozitivisht edhe në të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë përkthyer në më shumë investime për qytetarët.

“Për të gjithë ata kritikuesit, duhet të kuptojnë që në fakt një pjesë e madhe e taksave vjen nga investime të kësaj natyre dhe stadium i ri është një nga kontribuesit më të mëdhenj në buxhetin e Bashkisë së Tiranës këtë vit. Shumë prej gjërave që po shohim se po ndryshojnë në qytet, shumë prej shkollave e kopshteve, çerdheve, rrugëve, këndeve të lojërave, ndriçimit, infrastruktura, gjelbërimi, vijnë edhe falë taksave të kontribuesve të mëdhenj si investimi i stadiumit”, tha Veliaj. Duke e vlerësuar si një histori suksesi, Veliaj theksoi se ky investim do të rigjallërojë një pjesë të rëndësishme të kryeqytetit.

“Ish-parkingu i bashkisë do të rikthehet në një parking nëntokësor, i cili do të ketë të njëjtën filozofi si parkingu te sheshi “Skënderbej”, ashtu si edhe parkingu te fillimi i Bulevardit të Ri, një parking gjithashtu me 300 vende, për t’u siguruar që ajo hapësirë e Bashkisë së Tiranës jo vetëm shfrytëzohet si më parë, por rritet 2-3 herë shfrytëzimi si parking publik që do të lidhet me stadiumin”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat