Qeveria vendos të marrë 50 mln euro më shumë borxhe vetëm për muajin dhjetor

Shqipëria

Qeveria vendos të marrë 50 mln euro më shumë borxhe vetëm për muajin dhjetor

Më: 21 nëntor 2016 Në ora: 13:13
Edi Rama dhe Arben Ahmetaj

Ministria e Financave ka vendosur një rritje të përmasave të mëdha të huamarrjes në tregun e brendshëm financiar në muajin e fundit të këtij viti. Më datën 30 nëntor, do të organizohet një ankand i obligacioneve dyvjeçare në euro, për një shumë totale prej 35 milionë eurosh.

Vendimi për një ankand të obligacioneve në euro mund të shpjegohet me kushtet më të favorshme që qeveria beson se mund të sigurojë në valutën europiane. Në muajt e fundit, interesat e borxhit në lekë janë rritur ndjeshëm dhe qeveria i është druajtur një rritjeje të mëtejshme nga rritja e kërkesës për finacnim. Ndërkohë, vlerësohet se tregu ka një bollëk likuiditeti në euro, që bankat e kanë gjithnjë e më të vështirë për ta investuar.

Mbështetur në këtë analizë, Ministria e Financave mund të ketë vendosur që të kërkojë një hua të konsiderueshme përmes obligacioneve në euro. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë investimi edhe për sistemin bankar, në kushtet kur kreditimi në euro paraqitet i zbehtë.

Përveç ankandit shtesë të obligacioneve në euro, Ministria e Financave ka rishikuar edhe programin e huamarrjes në lekë për muajin dhjetor. Nga 17.8 miliardë lekë që ishte huamarrja e planifikuar më parë, huamarrja totale përmes bonove dhe obligacione në lekë do të rritet në 19.8 miliardë ose 2 miliardë lekë më shumë.

Duke llogaritur edhe obligacionet në euro, bëhen gjithsej rreth shtatë miliardë lekë ose 50 milionë euro më shumë nga plani që do të kërkohen nga tregu në fund të nëntorit dhe gjatë muajit dhjetor. Rritja e huamarrjes në ditët e fundit të vitit mund të ketë disa shpjegime.

Së pari, në katër muajt e fundit, qeveria shpeshherë nuk ka arritur të sigurojë dot të gjithë borxhin e kërkuar përmes shitjes së bonove dhe obligacioneve. Shtesa e muajit dhjetor mund të ketë synim pikërisht mbushjen e boshllëqeve të krijuar në muajt e mëparshëm, duke qenë se fundi i vitit sjell gjithnjë ritëm të shtuar të shpenzimeve buxhetore.

Një skenar tjetër lidhet me mosrealizimin e të ardhurave. Deri në fund të 9-mujorit, nga plani i të ardhurave në buxhet mungonin 4.5 miliardë lekë. Rritja në huamarrjen e planifikuar, natyrshëm mund të lidhet me nevojën për të rritur realizimin e investimeve publike, fenomen tipik në muajt e fundit të vitit. Por, nga ana tjetër, pas kësaj shtese mund të qëndrojë një vendim eventual për të dhënë një shpërblim festash për punonjësit buxhetorë dhe pensionistët.

Qeveria aktuale ka qenë dorështrënguar në shpërblime gjatë viteve të mëparshme, por, afrimi i zgjedhjeve e ka bërë më bujare, siç duket edhe nga vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke filluar nga muaji mars 2017. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat