Kryeministri Rama inspekton punimet në Shijak

Shqipëria

Kryeministri Rama inspekton punimet në Shijak

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 15:28
Kryeministri Rama në Shijak

Shijaku është pjesë e projektit të “Rilindjes Urbane” dhe tashmë ka edhe një qendër të re. Ndërsa investimet do të vazhdojnë edhe me nëntë projekte të tjera për parkun e ri të qytetit, pedonalen apo unazën e vogël.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Ardian Kokomani, vizitoi sheshin qendror si dhe e njohu edhe me projektet e reja për rivitalizimin e qytetit.

“Gjithë qytetin e Shijakut e kemi kthyer në kantier, për të rehabilituar gjithë hapësirat ndërmjet pallateve. Të gjitha këto hapësira do kthehen në rekreacion për gjithë grupmoshat, stola, parqe, kënd lojërash për fëmijë. Kjo pjesë kur kemi qenë në fushatë elektorale ka qenë vetëm ferra”, deklaroi Ardian Kokomani.

Ndërsa nga Shijaku, edhe një herë kreu i qeverisë ftoi fermerët të përfitojnë nga Fondi i Garancisë Kombëtare për nxitjen e prodhimit bujqësor, ndërsa i njohu ata me nismat për zhvillimin e fshatit dhe bujqësisë, duke nisur nga pronësia mbi tokën.

“Në 25 vjet nga dalja e ligjit, jo vetëm që nuk u shpërndanë titujt e pronësisë, por përkundrazi, situata vetëm u ngatërrua. Ne kemi ndërmarrë një operacion masiv në gjithë territorin dhe me bashkitë e reja kemi filluar procesin e dhënies së pronësisë bazuar në ligjin 7501. Qysh prej vitit 1991, kanalet vaditës e kullues u lanë në mëshirë të fatit. Në këtë aspekt me bashkitë po bëhet një punë e madhe dhe  do vazhdojmë me këtë operacion deri kur të mos mbetet asnjë metër katror tokë bujqësore e pa ujitur apo e pa garantuar për kullimin. Është njëkohësisht dhe paketa më e madhe financiare që një qeveri ka vënë në dispozicion të ujit në parcelë qysh nga viti 1991”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri i garantoi fermerët se shteti do të jetë garanti i kredisë me interesa të favorshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat