129 makina të gjeneratës së ardhshme, dhuratë nga qeveria japoneze për Shqipërinë

Shqipëria

129 makina të gjeneratës së ardhshme, dhuratë nga qeveria japoneze për Shqipërinë

Më: 15 nëntor 2016 Në ora: 11:59
Ilustrim

Qeveria Shqiptare falënderon qeverinë japoneze për dhurimin e 129 makinave të prodhimit më të fundit japonez (Toyota, prodhim i vitit 2016).

Sipas kryeministrisë, kjo dhuratë u mundësua nëpërmjet akordimit të një granti gjeneroz prej 500 milionë YEN, ose 4 milionë USD për qeverinë shqiptare, i cili u miratua nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe me shkëmbim notash më 29 korrik 2015.

“Qëllimi i kësaj dhurate gjeneroze është zvogëlimi i ndotjes mjedisore dhe reduktimi i gazrave që shkaktojnë efektin serrë (GHG) nëpërmjet promovimit të makinave të gjeneratës së ardhshme miqësore ndaj mjedisit. Këto makina do të shërbejnë në nxitjen e ndërgjegjësimit të institucioneve shtetërore dhe publikut për përmirësimin e cilësisë dhe perfomancës mjedisor”, thuhet në njoftimin nga kryeministria.

 Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti. Projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse administrative për institucionet qeveritare, rritjen e mobilitetit të institucioneve monitoruese dhe zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat