Strehimi, kredi për 4300 familje

Shqipëria

Strehimi, kredi për 4300 familje

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 08:12
Ilustrim

Strehimi ka marrë një vëmend je të veçantë gjatë viteve të fundit, duke u fokusuar sido mos te miratimi i strategjisë 10 vjeçare, ndërkohë që ende nuk është miratuar pjesa që lidhet me projektligjin që është në fazë diskutimi. Gjithsesi për vitin 2017 do të vazhdojë mbështetja për këto politika sociale dhe në projektbuxhet janë parashikuar 560 milionë lekë të cilat do të shërbejnë për të ndërhyrë në disa aspekte. “260 milionë lekë investime të ndara në dy kategori: 120 milionë lekë për projekte dedikuar rikonstruksionit të 185 banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian në bashki. Përfitues do të jenë rreth 740 qytetarë të komunitetit Rom e Egjiptian dhe 140 milionë lekë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit fillestar me qëllim strehimin e shtresave në nevojë për 162 familje të pastreha”, thuhet në draft. Po kështu janë rreth 4300 familje, të cilat kanë përfituar nga kreditimi me interesa të buta dhe për të subvencionuar këto interesa janë parashikuar 280 milionë lekë. Sipas qeverisë, 20 milionë lekë të tjera do të shkojnë për bonus strehimi dhe grant i menjëhershëm për 230 familje të cilat nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi.

“Nëpërmjet instrumentit të Bonusit të Strehimit buxheti i shtetit i siguron familjeve në nevojë banesë, duke financuar qiranë në treg të lirë në masën 50-100 për qind të vlerës. Ndërkohë, Granti i menjëhershëm i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5-10 për qind të vlerës së banesës”, thuhet në projektbuxhet. Ndërkohë, në fushën e legalizimeve për vitin 2017, janë parashikuar për ALUIZNI-n rreth 127 milionë lekë investime për intensifikimin e procesit për legalizimin e rreth 30.000 objekteve të reja në zonat masive informale deri në muajin maj 2017, duke mundësuar legalizimin e mbi 100 mijë objekteve për periudhën Qershor 2014-Maj 2017. Kreditë Qytetarët që përfitojnë kreditim të lehtësuar, sipas strukturës së familjes, përcaktohen nga zyrat përkatëse në bashki dhe miratohen nga këshilli bashkiak. Për përcaktimin e kufijve minimalë dhe maksimalë, zyrat përkatëse në bashki bazohen në vlerën e banesës së ndërtuar ose të blerë në treg si dhe në aftësinë paguese të familjes. Nivel i pranueshëm merret pagesa e kësteve mujore të kredisë, e cila nuk duhet t’i kalojë 35 për qind të të ardhurave të familjes. Të ardhurat e familjes, pas pagesës së kësteve të kredisë, nuk duhet të bien më poshtë se niveli i plotë i ndihmës ekonomike të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kufiri minimal i të ardhurave të këtyre familjeve është sa trefishi i kësteve mujore të kredisë së subvencionuar dhe kufiri maksimal i të ardhurave mujore të familjes është sa trefishi i pagesës mujore të kredisë së pa subvencionuar nga shteti.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet, sipas ligjit nr. 9232, duhet të jetë e barabartë me diferencën midis interesit vjetor të kredisë (sipas marrëveshjes). Për verifikimin e të dhënave, si më sipër, familjet paraqesin dokumentet e përcaktuara në vendimin përkatës. Zyrat përkatëse, në bashki, kryejnë verifikimet sipas legjislacionit në fuqi për dokumentacionin e paraqitur si më sipër dhe marrin konfirmim nga Zyra Qendrore dhe Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pasuri, të regjistruara në emër të gjithë anëtarëve të familjes. Masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që kanë të ardhura më të ulëta se trefishi i masës së interesit mujor, duhet të jetë e barabartë me interesin vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0 për qind. Është shumë e rëndësishme që aplikanti të plotësojë kërkesën sipas rregullores, pasi ajo mund të refuzohet. “Kërkesa e paraqitur nuk pranohet, në rastet kur, kërkesa është paraqitur nga një person jo i autorizuar. Ajo refuzohet gjithashtu, edhe kur personi apo familja nuk plotëson të dhënat dhe kërkesa nuk është shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar. Dy motivet e tjera kur refuzohet kërkesa lidhen me mosplotësimin e mangësive, sipas të dhënave të kërkuara dhe kur enti menaxhues ka hequr dorë nga kërkesa për regjistrim. Njësia vendore ka për detyrë të pranojë kërkesën me dokumentacionin shoqërues, të shqyrtojë dhe verifikojë atë, si dhe të njoftojë kryetarin e njësisë për rastet kur i përmbush a jo kriteret për regjistrimin e tij”, thuhet në rregullore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat