Nëna e xhihadistit Ervin Duka: Nusja me fëmijët ishin në Arabi, më përgjigjet shkurt ose hiç fare për djalin

Shqipëria

Nëna e xhihadistit Ervin Duka: Nusja me fëmijët ishin në Arabi, më përgjigjet shkurt ose hiç fare për djalin

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 08:07
Majtas, nëna e Ervin Dukës. Djathtas, imazh i një militanti në Siri

Në vitin 2014, policia deklaroi se Ervin Duka figuronte në listën e personave që luftonin në Siri.

Ndërkohë, që nëna e të riut, Sadiko Duka deklaroi se i biri nuk ndodhej në Siri.

Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare” më 20 mars të atij vitit, 77-vjeçarja nga fshati Guras i Pogradecit tha se djali i saj ndodhej në Arabi dhe se punonte në një supermarket. E moshuara u shpreh se ishte shumë e frikësuar, ndonëse përpiqej t’u besonte fjalëve të djalit të saj. Sadiko deklaroi në atë kohë që shteti duhet të ndëshkojë të gjithë hoxhallarët që mashtrojnë të rinjtë dhe i dërgojnë në luftë.

Ku ndodhet aktualisht djali juaj?

Ervini ndodhet në Arabi. Ka dy vite që jeton dhe punon aty për të siguruar të ardhura për familjen e tij. Këtu nuk ia dilte dot, ndaj vendosi të shkonte në Arabi. Flasim rregullisht në telefon. Madje, pak kohë më parë shkoi me të edhe nusja me dy fëmijët e mitur 2 dhe 4 vjeç. Qëndroi disa muaj dhe ka rreth 14 ditë që është kthyer për të qëndruar me mua.

Ju thatë që nusja shkoi dhe e takoi Ervinin në Arabi. Çfarë ju tregoi kur erdhi?

Më tha që Ervini ishte mirë. Nuk më tregoi asgjë tjetër. Kur unë e pyesja, ajo më përgjigjej shkurt ose në ndonjë moment nuk përgjigjej fare. E lashë me kaq, nuk e pyeta më tej.

Jeni e frikësuar se djali juaj mund të shkojë në Siri?

Patjetër që kam frikë. Ai nuk mund të shkojë në Siri. Unë nuk do e pranoja kurrë, por e kam pyetur se kam merak. Ai më ka thënë se është në Arabi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat