Buxheti i ri/ S'ka projekte për rrugë të reja, qeveria shtyn edhe ato në ndërtim

Shqipëria

Buxheti i ri/ S'ka projekte për rrugë të reja, qeveria shtyn edhe ato në ndërtim

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 12:50
Ilustrim

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama është akuzuar jo vetëm nga opozita, se nuk ka investuar asnjë projekt të ri infrastrukturor dhe akoma më keq, se ka treguar shumë pak vëmendje ndaj rrjetit rrugor. Strategjia e fasadave të Ramës ka bërë që investimet të fokusohen vetëm në projektin e rilindjes urbane, që ka të bëjë me qendrat e qyteteve.

Sipas medias Buxheti i Shtetit, që u është paraqitur deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, është paraqitur edhe një platformë e detajuar për punimet në infrastrukturën rrugore të vendit. Ajo që të bën përshtypje është fakti që, për herë të parë, jepet me hollësi viti i fillimit të realizimit të projektit për secilin segment dhe parashikimi për vitin kur do të përfundojë.

Një nga projektet më madhore i nisur nga qeveria e mëparshme, aksi Tiranë-Elbasan parashikohet të përfundojë në vitin 2018. Edhe segmenti që niset nga Kardhiqi i Gjirokastrës për të përfunduar në Delvinë do të përfundojë në 2018.

Ky segment e shkurton së tepërmi udhëtimin drejt Sarandës dhe zonave të tjera turistike në rivierën e Jugut. Ai filloi në vitin 2007 nga qeveria "Berisha" por u ndërpre papritmas prej saj dhe më pas askush nuk e zuri më me dorë. Sipas ekspertëve të infrastrukturës, ndërprerja e punimeve ka bërë që edhe traseja e punuar tashmë duhet të bëhet në shumë raste nga e para.

By Pass-i i Fierit nuk do të mbarojë para vitit 2019, ndërkohë që punimet për atë të Vlorës do të zgjatin gjithashtu deri më 2019. Më skandaloz duket fakti që rruga në bregun e liqenit të Ohrit parashikohet të përfundojë më 2019-ën, pasi ka filluar gjashtë vjet më parë. Rruga nga Korça në Ersekë do të shtyhet deri në vitin 2019, ndonëse ka filluar më 2011-ën.

Kurse Unaza e Madhe e kryeqytetit nuk ka një afat të përcaktuar mirë. Në Projektbuxhet, projekti i nisur më 2010 datën e përfundimit e ka “2019+”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat