Përmbytjet prezente në të gjithë vendin

Shqipëria

Përmbytjet prezente në të gjithë vendin

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 16:00
Foto

Situata e përmbytjeve si pasojë e motit të keq vazhdon të mbajë në nivel alarmi të gjithë vendin. Ndërsa qendra dhe veriu i vendit po përballen me pasojat e përmbyjteve, jugu është ende në rrezik nga rreshjet.

Fier – Vjosa

Reshjet e shumta kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në lumenj. Vjosa i është afruar pikës kritike. Niveli i saj ka arritur në 6.6 metra, duke vënë në gjendje alarmi shtabet e emergjencave në Fier, e po ashtu ka krijuar panik tek banorët.

Rreshjet e dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në sera dhe ferma bujqësore në Fier.

Tiranë

Përmbytjet e një dite më parë në kryeqytet kanë lënë pas mjaft pasoja. Dhjetëra biznese në autostradë ende nuk kanë mundur të nxjerrin ujin, i cili arriti deri në 1 metër në brendësi të tyre.

E ndërsa dëmet sipas tyre janë të pallogaritshme, ata kërkojnë ndihmën e shtetit.

Po ashtu, 80 familje janë ende të evakuuara dhe banesat e tyre kanë prezencë uji.

Lezha

Edhe lumi Drin ka arritur pikën kritike.

Krahas banesave dhe bizneseve në Lezhë 610 HA tokë janë të përmbytura. Zonat më të prekura janë Balldre, Gocaj dhe Torovicë.

Kurbin

Gjendja në rrethin e Kurbinit vazhdon të jetë problematike. Sipas raportimeve të Ministrisë së Bujqësisë 300 HA tokë janë nën ujë, ndërsa ka përmbytje të shtëpive të banimit si pasojë e reshjet dhe shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia.

Shkodër

Edhe Buna ka dalë nga shtrati, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.

873 hektarë tokë bujqësore në Qarkun e Shkodrës janë të përmbytura. Bushati, Bërdica dhe Ana e Melit janë më të prekurat.

Disa prej akseve rrugore vazhdojnë të jenë të bllokuara si pasojë e rreshjeve.

Si pasojë e situatës alarmante nga moti i keq, Ministria e Arsimit ka vendosur mbylljen e shkollave e kopshteve deri në një urdhër të dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat