Raporti për Shqipërinë, KE rekomandim për hapjen e negociatave

Shqipëria

Raporti për Shqipërinë, KE rekomandim për hapjen e negociatave

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 09:40
Johannes Hahn

Kushti i panegociueshëm është kryerja e reformës në drejtësi, kërkohet që zbatimi i saj të jetë i prekshëm dhe i besueshëm, gazeta amerikane zbulon pjesë nga raporti që do të lexohet nga komisioneri Hahn.

Kur kanë ngelur dhe vetëm pak orë nga bërja publike e raportit për hapjen e negociatave të Shqipërisë, mësohet se raporti në përgjithësi do të flasë pozitivisht për Shqipërinë. E paqartë mbetet gjuha që ka përdorur Brukseli për të shprehur kushtëzimin që Shqipëria duhet të përmbushë. Një nga kushtet kryesore që duhet të përmbushë Shqipëria është reforma në drejtësi, ku kërkohet që zbatimi i saj të jetë i prekshëm dhe i besueshëm. Janë dy fraza që gjenden në pothuajse 90 faqe të raport, “progres i vazhdueshëm” dhe “progres vendimtar” dhe që shprehin ecurinë në 90 për qind të fushave të marra në shqyrtim. Ato janë 45 dhe në rreth 40 prej tyre vihet re progres i niveleve të ndryshme. Ky, sipas Top Channel, përshkruhet si raporti me pozitiv që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë, por sërish kushtet mbeten. Dhe një rikonfirmim të tyre pritet ta bëjnë në dhjetor vendet anëtare.

Shkrimi i "The Wall Street Journal”

"The Wall Street Journal” shkruan se e ka parë dokumentin në fjalë një ditë përpara publikimit të tij zyrtarisht. "Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm që komisioni të rekomandojë një hap të vogël përpara në rrugën e saj për t'iu bashkuar BE-së” shkruhet në dokument. "Vendimi për hapjen e negociatave varet nga qeveritë e BE-së”, - tha një zyrtar i lartë i BE-së për WSJ i cili ka paralajmëruar se: “kjo nuk do të ndodhë brenda natës” derisa Tirana të tregojë rezultate konkrete në verifikimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, të cilëve deri nuk u është nevojitur një diplomë një diplomë në drejtësi. Është një hap operacional përpara” - tha zyrtari në fjalë për "The Wall Street Journal”. Në draft-raport, Shqipëria është vlerësuar njëzëri për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në korrik, të cilat bënë të mundur një rishikim gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë post-komuniste të vendit.

“Reforma në administratën publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Ka përparuar puna drejt krijimit të të dhënave solide të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të drejtat themelore të vazhdojnë të respektohen gjerësisht në vend ", - shkruhet në përfundimet e projekt-raportit. Megjithatë, vlerësimi i përgjithshëm i rajonit të Ballkanit dhe Turqisë mbetet i zymtë: “Shumë vende kanë miratuar ligje dhe riorganizuar rregullat e tyre, por kanë treguar pak rezultate konkrete deri më tani, ndërkohë që korrupsioni mbetet i përhapur. "Disa vende në rajon vazhdojnë të tregojnë simptome të qarta dhe shkallë të ndryshme të kapjes së shtetit. Kompanitë, institucionet apo individë të fuqishëm përdorin praktika të paligjshme për të ndikuar në formën e politikës, mjedisin ligjor dhe ekonominë sipas interesave të tyre.

Angazhimi politik i deklaruar për të luftuar korrupsionin nuk është përkthyer sa duhet në rezultate konkrete”-, thuhet në draft raport, i cili paralajmëron se investitorët e huaj janë të dekurajuar nga sjelljet mbi biznesin e tyre në Ballkan, për shkak të këtyre paqartësive. “Autoritetet duhet të fillojnë seriozisht çmontimin e rrjeteve kriminale dhe konfiskimin e aseteve, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve më ambicioze dhe të fuqishme si konfiskimin e zgjeruar e pasurisë dhe përdorimin sistematik të hetimeve financiare. Përpjekjet duhet të rriten për të trajtuar trafikimin e armëve të zjarrit”, - pritet të thotë komisioni të mërkurën. "Masat kundër-terrorizmit, megjithëse nuk është një kërkesë e anëtarësimit, shfaqen në raport, pasi disa vende në Ballkan kanë popullsi myslimane prej të cilave luftëtarët udhëtojnë për në dhe nga Siria e Iraku. Përderisa disa vende kanë ndryshuar strategjitë e tyre të anti-terrorizmit dhe ligjet më shumë duhet bërë për të kundërshtuar radikalizmin në këto vende, veçanërisht në fushën e arsimit dhe nëpërmjet kontrollit më të mirë të fondeve të huaja nxitjen e përmbajtjes radikale.” – nënvizon raporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat