Maturantët, Rama: Reformë e suksesshme, grusht për opozitën

Shqipëria

Maturantët, Rama: Reformë e suksesshme, grusht për opozitën

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 09:19
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të përjavshëm në “Facebook” këtë të diel ia dedikoi regjistrimit të maturantëve në universitete, proces të cilin  ai e quajti të suksesshëm. Kreu i qeverisë  u shpreh se opozita nuk dha asnjë propozim dhe nuk kishte asnjë ide qoftë edhe modest. Rama argumentoi se të gjitha akuzat e PD për regjistrimet ne Universitetet rezultuan të pavërteta, sepse shifrat dhe faktet treguan të kundërtën. “Ata thanë se ky sistem do të mbushte universitetet private dhe do të zbrazte universitet shtetërore, por shifrat përfundimtare thonë se 81% e maturantëve janë regjistruar në universitet publike dhe vetëm 19% në ato private dhe ky raport nuk ka qenë asnjëherë më në favor të universiteteve publike.

Ata thanë se sistemi i ri do të ulte në minimum historike numrin e studentëve që do të hyjnë në universitetin publik, e vërteta është se numri i të regjistruarve në universitetet publik është 5% më i lartë se një vit më parë, ose 1014 studentë më shumë. Ndërkohë që numri i studentëve të regjistruarve në universitetet private është  27% më pak se vjet, ose 1587 studentë më pak”, deklaroi kryeministri. Ai deklaroi se sistemi i ri nuk favorizoi universitetet private, ndërsa shifrat tha Rama tregojnë se 84% e studentëve me mesatare mbi 9 janë regjistruar në universitetet publike dhe 16% në privat.

“Ata thanë se sistemi i ri i dënon studentët me mesatare të lartë dh i detyron të kërkojnë shpëtim tek private, por rezultati është grushtues edhe për ketë ndaj këtyre alarmuesve fals. 84% e studentëve me mesatare mbi 9 janë regjistruar në universitetet publike dhe 16% në privat. I njëjti raport në favor të universiteteve publike është edhe për fashën mbi 7”, tha Rama. Sipas, tij reforma në arsimin e lartë ka mundësuar fillimin e një kthese historike në funksion të konkurrencës dhe të meritës.

PD: Rama mashtron, mijëra kuota bosh

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë për regjistrimet në universitete, pas deklaratës së kryeministrit Rama në komunikimin e javës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputeti Luçiano Boçi tha se procesi i regjistrimeve në universitete ishte një tallje me fund dramatik për maturantët. “Çdo herë që dështon apo kërkon të mashtrojë Rama e ka bërë zakon të na flasë për të kundërtën. Procesi i pranimeve ishte një skandal i turpshëm.

Një tallje e sorollatje ekzemplare për maturantët. Me një fund dramatik për shumë të rinj e për vetë Universitetet. Llomotit për sukses e përparim kur ka mbjellë veç kaos e mashtrim”, u shpreh Boçi. Boçi thotë se me sistemin e ri të pranimit në universitetet mbetën pa u plotësuar shumë kuota në degët më të preferuara. “Mijëra maturantë sot janë rrugëve megjithëse ende mijëra kuota mbeten bosh”, tha ai më tej. Boçi tha se si rezultat i kësaj reforma, si asnjëherë në këto 25 vite, u mbyllën degë shumë të kërkuara si logopedi në Universitetin Mjekësor dhe mbeten pa u plotësuar degë elitare si farmaci, stomatologji, imazheri etj.

Gjithashtu sipas tij në degët e Fakultetit Ekonomik të gjithë universiteteve publike, mbeten pa u plotësuar. “Inxhinieritë gjithashtu mbetën të paplotësuara, edhe pse janë diplomat më të kërkuara. Shkencat e Natyrës e njëjta situatë”, tha Boçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat