Vrasja në Sarandë, reagon Noka: Viktima punonte roje për të siguruar ilaçet e vajzës së sëmurë

Shqipëria

Vrasja në Sarandë, reagon Noka: Viktima punonte roje për të siguruar ilaçet e vajzës së sëmurë

Më: 6 nëntor 2016 Në ora: 20:17
Flamur Noka

Vrasja në Sarandë mëngjesin e sotëm të 46-vjeçarit Artan Hoxha që punonte si punëtor karburanti gjatë natës ka sjellë reagimin e deputetit të PD-së, Flamur Noka. Sipas tij, shteti i Edi Ramës e ka braktisur qytetarin, ndërsa e ka ndarë në dy botë, një të qytetarit të ndershëm dhe një të drogës.

Në reagimin e tij, Noka thotë se qytetari që u vra, punonte natën që të siguronte ilaçet për vajzën e tij të sëmurë.

Reagimi i plotë i Flamur Nokës:

Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë, një dramë e madhe që tregon gjendjen e rëndë në vend, pasigurinë e sundimin e krimit. Ja ku e çoi Edi Rama vendin, duke e ndarë në dy botë. Një qytetar i ndershëm që punon roje natën në karburant për të siguruar ilaçet e së bijës së sëmurë, dhe në botën tjetër një njeriun e drogës që kalon gjithë Sarandën me çifte në dorë, pa asnjë pengesë dhe vret me gjakftohtësi për të marrë 600 mijë lekë.

Edi Rama ka hequr dorë nga detyra e tij për të siguruar rend dhe ka krijuar parajsën për drogën e drogmenët, grabitësit e banditët me armë.

Pak kohë më parë u tha karburanteve të sigurohen vetë se shteti nuk bën dot detyrën e tij. Ky është fundi i kontratës. Qytetarët nuk kanë zgjedhje tjetër, të marrin situatën në dorë e të sjellin në krye një qeveri që bën detyrën, që ofron rend e shtyp krimin pa mëshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat