MB paralajmëron: Këto ditë priten përmbytje dhe rrëshqitje të tokës

Shqipëria

MB paralajmëron: Këto ditë priten përmbytje dhe rrëshqitje të tokës

Më: 6 nëntor 2016 Në ora: 18:57
Foto arkiv

Ministria e Brendshme ka urdhëruar ngritjen e Shtabit të Emergjencave në të gjithë vendin, për shkak se duke nisur nga mesdita e 7 nëntorit pritet përkeqësimi i motit, me reshje të dendura, që do të shkaktojnë përmbytje.

Buletinet e instituteve të specializuara meteorologjikë njoftojnë se përkeqësimi i motit mund të shoqërohet fillimisht me reshje me intensitet mesatar, që do të vijnë duke u shtuar. Përveç përmbytjeve, ka gjasa që të ketë edhe rrëshqitje të tokës, në disa zona të caktuara.  Situata pritet të përkeqësohet më 8 nëntor, sidomos në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas parashikimeve të Instituteve Meteorologjike, pritet të ketë fryrje të lumenjve që rrezikojnë të dalin nga shtretërit e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme ka urdhëruar Prefektët dhe përfaqësuesit e bashkive në të gjithë vendin që, përveç ngritjes së Shtabeve të Emergjencës, të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike-operacionale për të reaguar sipas situatës. Gjithashtu, këshillohen shtetasit në zonat që mund të preken nga përmbytjet, të minimizojnë lëvizjet e panevojshme dhe sidomos të fëmijëve të vegjël, të pa shoqëruar nga të rriturit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat